Gjatë ditës së dytë të vizitës në Bruksel, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, fillimisht takoi grupet politike në Parlamentin Evropian.
Në Parlamentin Evropian, Ministrja Gërvalla u prit nga Manfred Weber - President i Partisë Popullore Evropiane (EPP), Philippe Lamberts - Bashkëpresident i grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian dhe eurodeputetët Klemen Groshelj nga grupi i partive liberale “Renew” dhe Thomas Waitz nga grupi i të Gjelbërve.
Në komunikatë thuhet se gjatë këtyre takimeve Ministrja Gërvalla i njoftoi eurodeputetët rreth arritjeve të Kosovës në shumë fusha dhe aspiratat euroatlantike të saj. Bisedat u përqendruan edhe rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, duke përfshirë edhe situatën e sigurisë pas aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës. Ministrja Gërvalla falënderoi eurodeputët për rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian, ku me gjuhë të vendosur u dënua agresioni serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Ministrja Gërvalla zhvilloi takime edhe në Senatin e Belgjikës, ku u prit nga senatori Fourat Ben Chikha, anëtar i delegacionit të Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE).