Begaj takon homologun gjerman: Bashkëpunim i shkëlqyer politik.     /FOTO: Bajram Begaj/X

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar sot një takim me Presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, ku u diskutua forcimi i bashkëpunimit dypalësh dhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj shprehu falënderimet e tij për Presidentin Frank-Walter Steinmeier për kontributin e dhënë në forcimin e marrëdhënieve dhe partneritetit mes dy vendeve. Ai theksoi se ky takim është një tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer politik dhe i vëmendjes së vazhdueshme që Gjermania i kushton Shqipërisë.

Presidenti Begaj siguroi mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE, duke vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të këtij vendi në avancimin e reformave dhe zhvillimin e Shqipërisë. Ai theksoi gjithashtu se roli i Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor është kyç përballë sfidave që kërcënojnë të ardhmen Euroatlantike të rajonit.

Në përfundim të takimit, Presidenti Begaj theksoi nevojën për një bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe vuri në dukje se e ardhmja evropiane është udhërrëfyesi kryesor për begatinë dhe stabilitetin e rajonit.

Ky takim vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe synon të përforcojë më tej lidhjet strategjike mes dy vendeve, ndërsa Shqipëria vazhdon rrugën e saj drejt integrimit europian.

TRT Balkan / agjencitë