Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria, dy vende nga rajoni i Ballkanit, janë ndër pesë vendet në botë me diasporën më të madhe, sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Të dhënat e Divizionit të Popullsisë të Kombeve të Bashkuara (OKB) i referohen përqindjes së diasporës në popullsinë totale të vendeve, ku viti 2020 është viti i fundit me të dhëna të disponueshme.
E para në listën e vendeve sovrane me diasporën më të madhe në botë është Guajana, një vend në bregun verilindor të Amerikës së Jugut. Sipas kësaj liste, nga të gjitha vendet sovrane, kombi i Karaibeve, Guajana, ka pjesën më të madhe të popullsisë që jeton jashtë vendit, pra 36,4% e popullsisë së përgjithshme është diasporë. Numri i përgjithshëm popullsisë në këtë shtet është diçka më i lartë se 790 mijë banor.
Bosnjë e Hercegovina është e dyta në listë sipas madhësisë së diasporës në raport me popullsinë e përgjithshme. Të dhënat e OKB-së tregojnë se 34% e popullsisë është diasporë. Nëse marrim parasysh se BeH ka 3.2 milionë banorë, 34 për qind e këtij numri është më shumë se një milion banorë.
Pas shpërbërjes së RSF të Jugosllavisë, në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, shumë emigruan nga vendet e Ballkanit në kërkim të një jete më të mirë. Në pjesën më të madhe, popullsia emigroi në një nga vendet më të zhvilluara të Evropës.
Rajoni pati më shumë konflikte dhe luftëra gjatë viteve 1990, gjë që çoi në një rritje të diasporës nga vendet e Ballkanit. Bosnjë e Hercegovina, e cila shpalli pavarësinë në 1991, përjetoi një luftë të përgjakshme nga 1991-1995. Lufta, gjendja e rëndë ekonomike edhe pas luftës, mosbesimi në institucione, mungesa e perspektivës, janë vetëm një pjesë e arsyeve të shumta të emigrimit masiv nga BeH, veçanërisht të popullatës së re. Arsyet e emigrimit nga vendet e tjera të rajonit janë të ngjashme.
Vendi i dytë ballkanik që renditet i treti për nga numri i diasporës në botë është Shqipëria. Vendi që i dha fund komunizmit dhe izolimit ndërkombëtar në vitet nëntëdhjetë u përball me vështirësi të shumta për shkak të situatës së keqe ekonomike.
Si për vendet e tjera të Ballkanit, emigracioni është një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë. Statistikat e OKB-së tregojnë se së paku 30.7 për qind e popullsisë së përgjithshme është diasporë. Në fakt, nëse marrim parasysh faktin se Shqipëria ka një popullsi prej 2.8 milionë banorësh, rezulton se më shumë se 881 mijë banorë të Shqipërisë janë pjesë e diasporës.
Vendet në luftë ose që kohët e fundit kanë qenë në luftë dhe janë përballur me konflikt gjithashtu shfaqen dukshëm në listën e vendeve me diasporën më të madhe sipas Kombeve të Bashkuara.
Siria, një vend që po përballet me më shumë se një dekadë luftë të ashpër, ka diasporën e katërt më të madhe në botë në raport me popullsinë totale, sipas OKB-së. Domethënë, 29.8% e popullsisë së Sirisë është diasporë. Në mars të këtij viti, UNHCR-ja tha se kriza më e madhe në botë e zhvendosjes është ende në Siri, me më shumë se 13 milionë njerëz që kanë ikur nga vendi ose janë zhvendosur brenda vendit për shkak të luftës 11-vjeçare.
Me 28.6% të diasporës së popullsisë së përgjithshme, shteti ishullor i Xhamajkës në Amerikën Qendrore është vendi i pestë me diasporën më të madhe. Mbështetur në të dhënat e Worldometer, shteti i Xhamajkës përbëhet prej 2.9 milionë banorë.