Bëhen përgatitjet e fundit për Bajramin e Kurbanit në rajon / Foto: AA

Në prag të festës së Bajramit të Kurbanit, besimtarët myslimanë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut vazhdojnë përgatitjet e fundit për festën.

Anadolu ka vizituar tregjet e bagëtive në kryeqytetet e tri vendeve, ku tregtarët kishin sjellë dukshëm më shumë bagëti, ndërsa vërehej edhe fluks më i madh i blerësve.

Çmimi i përcaktuar i kurbanit në Shqipëri për këtë vit është 160 euro

Në Tiranë dhe qytetet e tjera të Shqipërisë, besimtarët vazhdojnë blerjen e kafshëve për kurbane për familjen e tyre, por edhe për të ndihmuar familjet në nevojë.

Tregu i bagëtive i Qarkut të Tiranës është më shumë i frekuentuar ditët e fundit, ndërkohë që bëhen përgatitjet e fundit për pritjen e festës.

Gjithashtu, besimtarët vazhdojnë përgatitjet për pritjen e Kurban Bajramit edhe me blerjen e produkteve të ndryshme në tregjet e ndryshme të vendit.

Ndërkohë, çmimi i përcaktuar i kurbanit në Shqipëri për këtë vit është 160 euro.

Programi qendror për faljen e namazit të Kurban Bajramit në Shqipëri do të mbahet në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë.

Mesazhi i Myftiut të Kosovës: Prerja e kurbanit, ibadet që argumenton bindjen për Zotin

Përgatitjet e qytetarëve për prerjen e kurbanëve kanë filluar në Kosovë tash e disa ditë me shitblerjen e tyre.

Në Prishtinë shitblerja u bë në lokacione të ndryshme, sidomos në periferi, ku bagëtitë e imëta, respektivisht delet, shiteshin me çmim rreth 160 euro.

Ndërkohë, myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, në urimin e tij në prag të festës së Kurban Bajramit, u shpreh se prerja e kurbanit në Ditën e Bajramit është një ibadet që argumenton shpirtin e bindjes për Zotin dhe njëkohësisht rrit bashkëpunimin midis njerëzve duke afruar ndihmën dhe duke i dhënë dorën njëri-tjetrit.

"Therja e kurbanit historikisht na rikujton veprimin e Ibrahimit a.s., me birin e tij Ismailin a.s., i cili ishte i gatshëm të flijonte edhe të birin e tij të vetëm për hir të Zotit xh.sh. Sakrifica pra, ka kuptim të veçantë vetëm atëherë kur bëhet për hir të Krijuesit, dhe vetëm atëherë merr kuptimin dhe dimensionin sa hyjnor po aq edhe human e social", theksoi myftiu.

Ai tha se në Kosovë Bajrami i Kurbanit vazhdimisht ka përçuar në formën më të mirë të mundshme shpresën, begatinë, solidaritetin, ndihmën për tjetrin, urtësinë, paqen e mirëkuptimin, vlera këto që shoqërisë i japin kuptim dhe këtë e kërkon edhe Zoti.

Myftiu i Maqedonisë së Veriut: Le të jetë kjo festë e repsektit, afrimit dhe gëzimit

Në kryeqytetin e Maqedoninë e Veriut, besimtarë të shumtë myslimanë vizituan pazarin e bagëtive, i cili ndodhet në periferi të Shkupit.

Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut ka përcaktuar çmimin prej 160 euro për kurban.

Në pazarin e bagëtive, çmimi i bagëtive të imëta, kryesisht delet dhe dashtë, ndryshon nga 150 deri në 250 euro. Bagëtitë e trasha, si lopët dhe demat, shiten me çmim nga 1.000 deri në 1.800 euro.

Ndërkohë, kreu i BFI-së, Shaqir Fetai, ka uruar besimtarët myslimanë për këtë festë. Duke rikujtuar se kjo festë në radhë të parë ndërlidhet me kryerjen e Haxhit dhe sakrificës së bërë nga Ibrahimi a.s, ai shprehet se "jeta njerëzore është e vlefshme vetëm kur i përkushtohet Zotit dhe vlerave më të larta shoqërore".

"Le të jetë kjo festë, festë e gëzimit të zemrave tona, festë e respektit ndaj njëri-tjetrit, festë e afrimit me të tjerët, festë e gëzimit dhe kënaqësisë të njerëzve në nevojë, festë e faljes, festë e paqes e solidaritetit, dhe festë nëpërmjet së cilës do ta përfitojmë kënaqësinë e Allahut Fuqiplotë", shprehet Fetai në urimin e tij.

AA