Deputetët e Kuvendit Popullor të Serbisë pas diskutimeve disaditore me shumicë votash dje zgjodhën ish-kryeministren Ana Bërnabiq për kryetare të Kuvendit.
Nga 158 të pranishëm në sallë, 153 deputetë votuan për zgjedhjen e Bërnabiqit, pesë prej tyre ishin kundër.
Kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), nga e cila vjen edhe Bërnabiq, Millosh Vuçeviq, gjatë seancës tha se Ana Bërnabiq ishte kryeministre e shkëlqyer dhe se do të jetë një kryetare e shkëlqyer e Kuvendit të Serbisë.
Për Bërnabiqin votuan deputetët nga lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk duhet të ndalet” dhe “Ivica Daçiq – kryeministër i Serbisë”, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës dhe partitë e pakicave kombëtare.
Në votim nuk morën pjesë deputetët e koalicionit “Serbia nuk guxon të ndalet” dhe “NADA”, ndërsa “Ne votojmë për popullin dr. Branimir Nestoroviq” dhe “Vota jonë për popullin” ishin kundër ose nuk morën pjesë në votim.
Për nënkryetar të Kuvendi gjithashtu u zgjodhën Sandra Bozhiq dhe Marina Ragush nga Partia Progresive Serbe, Snezhana Paunoviç nga Partia Socialiste e Serbisë, Edin Xherlek nga Partia për Drejtësi dhe Pajtim, Jovan Janjiç nga "Zëri i popullit" dhe Elvira Kovaç nga Unioni i Hungarezëve të Vojvodinës.
Pas zgjedhjes së kryesisë së Asamblesë Kombëtare do të vijojë zgjedhja e qeverisë së re, e cila duhet të fillojë me caktimin e mandatarit të ri dhe deri atëherë, Bërnabiqin do ta zëvendësojë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi u mbajtën më 17 dhjetor.