Konkluzioni i miratuar i Asamblesë Kombëtare të entitetit të Bosnjë e Hercegovinës, Republikës Sërpska (RS), në të cilin gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së nga radhët e kombësisë serbe u thirrën të japin dorëheqje si gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së, paraqet një përpjekje jashtëzakonisht të rrezikshme të kopjimit të metodave antikushtetuese që ishin përdorur në vitin 1992 nga i dënuari për krime lufte Radovan Karaxhiq, tha anëtari i Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq.
Beqiroviq përkujtoi se përbërja e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së është rregulluar sipas nenit VI/1 të Kushtetutës së BeH-së dhe gjyqtarët veprojnë në cilësinë personale dhe jo si përfaqësues të një subjekti.
"Para marrjes së detyrës të gjithë gjyqtarët e zgjedhur kanë nënshkruar deklaratën solemne me të cilën janë zotuar se gjatë kryerjes së detyrave të tyre do t'i përmbahen Kushtetutës dhe ligjit të BeH-së dhe se do të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të paanshme. Është detyrë e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së të qëndrojnë konsekuentë me bindjet e tyre dhe të mbrojnë me nder profesionin që i takojnë”, tha anëtari i Presidnecës së BeH-së.
Po ashtu, Beqiroviq theksoi se një nga dy entitetet e BeH-së, RS nuk ka autorizim të rregullojë në mënyrë të njëanshme sferat që janë nën juridiksionin e shtetit të BeH-së.
"Statusi, përbërja dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së janë të rregulluara me Kushtetutën e BeH-së dhe jo me aktet e entiteteve. Dispozitat kushtetuese parashikojnë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së janë përfundimtare dhe të detyrueshme", tha Beqiroviq.
Ai theksoi se sipas nenit 239 të Kodit Penal të BeH-së: "Një zyrtar në institucionet e BeH-së, institucionet e entiteteve ose institucionet e qarkut Bërçko të BeH-së, i cili refuzon të zbatojë vendimin përfundimtar dhe të detyrueshëm të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së, Gjykatës së BeH-së, Shtëpisë për të Drejtat e Njeriut ose Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ose e pengon ekzekutimin e një vendimi të tillë, ose e pengon ndryshe ekzekutimin e tij, dënohet me dënim me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet".
Ndryshe, deputetët e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska (RS) të mërkurën (26 prill) u bënë thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së të kombësisë serbe të japin dorëheqje derisa ky institucion të marrë vendim tjetër. Aktualisht, në Gjykatën Kushtetuese të BeH-së është një gjyqtar me kombësi serbe.