Biden mesazh për liderët e BeH-së: Lërini mënjanë dallimet tuaja    Foto: AA

Joe Biden, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), u dërgoi një letër anëtarëve të sapozgjedhur të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Zeljka Cvijanoviq, Zeljko Komsiq dhe Denis Beciroviq me rastin e Ditës së Shtetësisë së BeH.

Në letër, në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara drejtuar anëtarëve të Presidencës së BeH-së dhe qytetarëve të saj, Biden vuri në dukje se ai dërgon “urimet më të mira me rastin e kremtimit të Ditës së Shtetësisë së BeH”.

Në letër thuhet se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnjë e Hercegovinës.

“Ne u bëjmë thirrje liderëve të Bosnjë e Hercegovinës që të lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të punojnë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për njerëzit që përfaqësojnë, duke përfshirë formimin e shpejtë të një qeverie në të gjitha nivelet dhe miratimin e reformave të nevojshme për të siguruar vendin e Bosnjë e Hercegovinës në bashkësinë euroatlantike”, thuhet në letrën e Presidentit Biden.

Më tej në letër, Biden thekson se në vitin në vazhdim pret forcimin e miqësisë mes qytetarëve të dyja vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, duke përfshirë sigurinë, diversifikimin e energjisë dhe luftën kundër korrupsionit.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin paqen, sigurinë dhe prosperitetin në Bosnjë e Hercegovinë për të gjithë qytetarët e saj”, përfundoi Biden në letrën e tij me rastin e Ditës së Shtetësisë së Bosnjë e Hercegovinës.

TRT Balkan / agjencitë