Bislimi në Varshavë: KQZ-ja u sulmua, rriten kërcënimet hibride. / Photo: Besnik Bislimi (X) / Photo: Besnik Bislimi (Twitter)

Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka deklaruar se gjatë zgjedhjeve të fundit vendi u përball me kërcënime serioze të sigurisë, përfshirë sulme në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe fushata të sofistikuara dezinformimi.

Para pjesëmarrjes në takimin e nivelit ministror në Varshavë, të organizuar nga Presidenca polake e Këshillit të BE-së, Bislimi theksoi rëndësinë e përballjes së përbashkët me kërcënimet hibride që sfidojnë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Gjatë zgjedhjeve javën e kaluar, përjetuam drejtpërdrejt kërcënime kibernetike, si sulmet ndaj faqes së KQZ-së, por edhe një fushatë intensive dezinformimi të sofistikuar,” shkroi Bislimi në Facebook.

Në margjinat e kësaj ngjarjeje dyditore, Bislimi pritet të zhvillojë takime bilaterale me përfaqësues të vendeve partnere dhe aleate, duke diskutuar mbi bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe integrimit evropian.

TRT Balkan / agjencitë