Blinken: ShBA-të qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë.     Foto: Olta Xhaçka/Facebook 

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vlerësoi takimin me ministren për Evropën dhe Punët e jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka në Uashington me rastin e Dialogut Strategjik SHBA-Shqipëri.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Blinken theksoi se, në takim u diskutuan prioritetet e përbashkëta në reformën demokratike dhe mbrojtjen, duke përfshirë mbrojtjen kibernetike.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë, një aleate e kahershme.

“Ishte kënaqësi të takoja miken time Olta Xhaçka dhe të festonim suksesin e Dialogut Strategjik SHBA-Shqipëri. Biseduam për prioritetet e përbashkëta në reformën demokratike, mbrojtjen, përfshirë edhe mbrojtjen kibernetike, ndryshimet klimaterike dhe tregtinë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë, një aleate prej një kohe të gjatë”, shkroi në rrjetet sociale, Sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken.

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës rikonfirmuan partneritetin strategjik dhe u angazhuan për të vijuar bashkëpunimin me interes të përbashkët në fusha si: mbrojtja, siguria kibernetike, energjia, transporti apo tregtia.

Të martën në Departamentin e Shtetit u mbajt, takimi më i rëndësishëm i marrëdhënies politike mes dy vendeve: dialogu i partneritetit strategjik SHBA – Shqipëri. Në dialog morën pjesë përfaqësues nga 6 ministri si dhe nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtjes, ai i Tregtisë, Korporata Financiare për Zhvillimin Ndërkombëtar, si dhe agjenci të tjera qeveritare ku u diskutuan rrugë për të thelluar bashkëpunimin strategjik.

TRT Balkan / agjencitë