Rrugët e qytetit të Shkupit, filluar nga orët e para të mëngjesit janë nën bllokadë të plotë si pasojë e protestës të transportuesve privat. Me vendosjen e autobusëve të tyre në udhëkryqet kryesore në kryeqytet është krijuar një rrëmujë e paparë, pavarësisht paralajmërimeve të mëhershme të autoriteteve përkatëse.
Organizatorët e protestave janë shprehur se kësa radhe nuk do të heqin dorë nga bllokimi i rrugëve deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Përfaqësuesi i kompanisë private “Slloboda Prevoz”, Kemal Muriq ka deklaruar se bllokadat do të qëndrojnë deri sa nuk ka përparim për të dalë nga gjendja aktuale, e që ndërlidhjet me borxhin të cilën Ndërmarrja Publike e Transportit në Shkup ua ka atyre.
“Siç kemi njoftuar autobusët janë parkuar dhe të gjithë do të jenë këtu derisa të mos ketë përparim nga kjo situatë, pra të na thërrasin në bisedime dhe për të rënë dakord për dinamikën e pagesës së detyrime, për pagesat javore dhe të kyçemi në rrjet me qëllim qytetarët mos të vuajnë”, tha Muriq.
Ndryshe, një numër i konsiderueshëm u shoferëve të cilët janë hedhur në protesta qarkullojnë në linjat veriore të Shkupit, të cilët i përfshijnë vendbanimet me shumicë shqiptare.