Bosnjë e Hercegovina feston 1 Marsin, Ditën e Pavarësisë.    /Foto: AA

Delegacionet nga të gjitha nivelet e qeverisjes bënë sot homazhe për dëshmorët dhe presidentin e parë të Republikës së Bosnjë e Hercegovinës, Alija Izetbegoviq, duke recituar vargje nga Kurani dhe duke vendosur lule në Varrezat e Dëshmorëve Kovaça në Sarajevë, me rastin e 1 Marsit, Ditës së Pavarësisë së Bosnjës e Hercegovinës.

Këshilltarët vendosën lule në emër të anëtarëve të Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiq dhe Denis Beqiroviq. Në varreza kanë vendosur lule edhe përfaqësues të tjerë të autoriteteve komunale, kantonale dhe federale, si dhe përfaqësues të organizatave të veteranëve.

Përkujtimi i 1 Marsit – Ditës së Pavarësisë së Bosnjë e Hercegovinës filloi mëngjesin e sotëm me ngritjen e flamurit kombëtar në kodrën Hum të Sarajevës, me intonimin e himnit kombëtar. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të të gjitha niveleve të qeverisjes dhe qytetarë.

Gjatë ditës do të vendosen lule edhe para memorialit të Zjarrit të Përjetshëm, si dhe në Memorialin e Fëmijëve të Vrarë të Sarajevës. Në forma të ndryshme, Dita e Pavarësisë festohet në qytete anembanë Bosnjë e Hercegovinës, si dhe në diasporë.

Qytetarët e Bosnjës e Hercegovinës zgjodhën rrugën e pavarësisë në referendumin e mbajtur më 29 shkurt dhe 1 mars 1992. Nga 64 për qind e qytetarëve me të drejtë vote që iu përgjigjën votës, kur u pyetën nëse janë “për” një BeH sovrane dhe të pavarur, një shteti të qytetarëve dhe popujve të barabartë të BeH-së - myslimanë, serbë, kroatë dhe anëtarë nga kombet e tjera që jetojnë atje, 99.44 për qind votuan "për".

Për pavarësinë votuan 2.073,568 votues nga numri i përgjithshëm i atyre që iu përgjigjën referendumit. Një muaj pas referendumit, pasoi agresioni ndaj Bosnjë e Hercegovinës.

TRT Balkan / agjencitë