Banka Qendrore e Shqipërisë (BSH) ka prezantuar sot raportin e stabilitetit financiar, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, sipas të cilit sistemi financiar në Shqipëri pati zhvillime pozitive.
Raporti paraqet një vlerësim të përgjithshëm të rreziqeve që mund të kërcënojnë stabilitetin e sistemit financiar të Republikës së Shqipërisë dhe infrastrukturën e tij, si dhe vlerëson aftësinë e sistemit financiar për t'i përthithur këto rreziqe.
Ekonomia shqiptare vijoi rritjen gjatë periudhës në fjalë thuhet në raportin e publikuar në uebfaqen e BSh-së, dhe theksohet se në fund të tremujorit të parë, rritja ekonomike vjetore shënoi 3.6 për qind.
Kjo rritje ekonomike, sipas BSh-së, pati një bazë të gjerë sipas sektorëve, veçanërisht nga ndërtimi, tregtia e transporti.
Sipas raportit, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme dhe vijoi të zgjerohej.
Më tej, theksohet se zhvillimet ekonomike, fiskale dhe ato në tregun e punës në vend ishin pozitive.
"Zhvillimet ekonomike gjatë periudhës ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe e investimeve, si edhe qëndrueshmëria e performancës së turizmit. Rritja ekonomike u shoqërua me rritje të punësimit e të pagave dhe ulje të normës së papunësisë. Gjendja financiare e familjeve dhe e bizneseve vlerësohet e përmirësuar gjatë periudhës", thuhet në raport.
Gjithashtu, theksohet se rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme dhe se këto rreziqe sipas raportit burojnë kryesisht nga pasiguria që mbartin zhvillimet gjeopolitike.