Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë projektin e ndërtimit hekurudhës Durrës-Prishtinë. Kjo u bë e ditur sot nga Sekretari e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealthin dhe Zhvillimin e Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Tiranë.
Gjatë konferncës për shtyp kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se fokusi në takim është vendosur në raportet dypalëshe mes dy vendeve, ndërsa zbuloi se Mbretëria së Bashkuar do të mbështesë projektin strategjik të ndërtimit të hekurudhës Durrës-Prishtinë.
“Kemi diskutuar sot për marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe thellimin e mëtejshëm të tyre. Kemi folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik për Shqipërinë, për Kosovën, po edhe për rajonin që është hekurudha Durrës-Prishtinë, e cila është element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes jo vetëm mes dy vendeve tona, por edhe në rajon dhe më gjerë”, tha kryeministri Edi Rama.
Sekretari i Jashtëm britanik Lord David Cameron tha se një nga ato arsye e vizitës në Tiranë është që të festojë suksesin e Shqipërisë.
“Shqipëria është vërtet një histori suksesi, nga aspekti ekonomik, sukses në NATO. Ju gjithashtu në mënyrë të suksesshme keni bërë të pamundurën dhe një punë të shkëlqyer dhe një lidership shumë të madh në Këshillin e Sigurimit”, tha Cameron.
Cameron theksoi se partneriteti me Shqipërinë është ndër më të frytshmit dhe më pozitiv për Mbretërinë e Bashkuar.
“Ajo që mund të them unë nga këndvështrimi britanik dhe flas këtu në emër të kryeministrit tonë, Rishi Sunak, është se kjo ka qenë, është dhe do të jetë një nga partneritetet më të frytshme dhe më pozitive për ne. Për eksportet për shembull janë rritur me 20%. Ne kemi projekte shumë emocionuese, si për shembull hekurudha që ju shpjeguat nga Prishtina në Durrës, që do të jetë shumë e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe për gjithë rajonin”, tha ai.
Rama dhe Cameron gjatë takimit të sotëm kanë diskutuar edhe për planin e përbashkët të luftës kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore.