Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shpallur ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmanin si kandidat për president në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut, të cilat pritet të mbahen më 24 prill.
Ndër të tjerash, Ahmeti publikoi tri pika të cilat do jenë vendimtare për formimin e qeverisë, pasi që paralelisht me zgjedhjet presidenciale (rrethin e dytë) më 8 maj do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.
Këto janë pikat që shpalosi Ahmeti: Zgjedhja e Presidentit dhe Zëvendëspresidentit me 2/3 e votave dhe me shumicë të dyfishtë të Badinterit, Bujari t’i prijë këtij ndryshimi që BDI-ja e kërkon edhe në programin e tyre të vitit 2016 edhe atë të 2020, si dhe Hapja e Kushtetutës për çështjen e Presidentit, e cila do të mundësojë edhe miratimin e Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë dhe vazhdimin e integrimit europian.
Para 1 javësh edhe opozita e bashkuar shqiptare nën platformën Lidhja Evropiane për Ndryshim ka propozuar Arben Taravarin si kandidat për president.
Partitë maqedonase ende nuk kanë publikuar zyrtarisht kandidatët e tyre.