Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij të punës në Bruksel ka zhvilluar takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Siç njofton kabineti i kryediplomatit të Maqedonisë së Veriut, në takim u diskutua për sfidat aktuale të sigurisë, si dhe për aktivitetet e NATO-s në drejtim të përshtatjes me realitetin e ri të sigurisë, përballjes me sfidat dhe forcimit të mbrojtjes dhe parandalimit.
Në fokusin e bisedës ishte situata aktuale në Ballkanin Perëndimor, si një rajon me interes strategjik për Aleancën.
“Koordinimi i ngushtë dhe aktivitetet e përbashkëta të NATO-s dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor, si dhe përshpejtimi i integrimit europian dhe euroatlantik të vendeve të rajonit, janë mjete kyç për konsolidimin e stabilitetit rajonal dhe mbylljen e vakuumit për ndikimet e mundshme destabilizuese nga palët e treta”, ka theksuar Osmani.
Siç njofton Ministria e Jashtme, në takim u diskutua edhe për “agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës, si dhe për mbështetjen për popullin ukrainas dhe në këtë kontekst u theksuan vendimet e rëndësishme nga Samiti i fundit i NATO-s në Vilnius, të cilat edhe një herë konfirmuan unitetin në Aleancë”.
Gjatë takimit me Stoltenbergun, Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut, si aleate e besueshme, mbetet e përkushtuar në vendosmërinë e saj për të kontribuar në paqen globale, sigurinë kolektive dhe stabilitetin e rajonit. Në këtë drejtim, ai i është referuar kontributit të Shkupit në misionet dhe grupet luftarake të NATO-s, si dhe vendosmërinë për të ndarë 2% nga Prodhimi Bruto Vendor për mbrojtjen.