Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, ka vizituar sot Ukrainën, në vizitën e tij të parë në cilësinë e kryesuesit të Organizatën e Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë. Gjatë vizitës në qytetin Borodianka në rajonin e Kievit, i prekur rëndë nga aksionet ushtarake, Osmani shprehu keqardhjen për të gjitha viktimat e pafajshme dhe mijëra ukrainasit, të cilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Ai the se “të gjithë ne që mbështesim Ukrainën jemi në anën e duhur të historisë, në anën e duhur të njerëzimit, duke respektuar të drejtën për jetë”.
“Nga aksionet ushtarake të Rusisë u dëmtuan shkolla, spitale dhe infrastruktura tjetër shtetërore, që fatkeqësisht vazhdon të dëmtohet apo madje të shkatërrohet tërësisht”, ka theksuar Osmani.
Osmani dënoi sulmet ruse mbi caqe civile, përfshirë edhe sulmin e fundit ndaj një ndërtese banimi në Dnipro ku humbën jetën dhjetëra persona.
“Nuk ka asnjë justifikim nëse objektivat civile granatohen vazhdimisht. Asgjë nuk mund të justifikojë vrasjen e civilëve, pengimin e transportit të ujit dhe ushqimit, pengimin e punës së konvojëve humanitarë. Asgjë nuk mund të justifikojë kur fëmijët dhe gratë shtatzëna mbeten pa ngrohje, pa ushqim të mjaftueshëm”, tha Osmani.
Sipas tij, agresioni i paprovokuar është shkelje e së drejtës ndërkombëtare, kërcënim potencial për rajonin, por edhe një burim frike dhe pasigurie për gjithë botën.
Gjithashtu, Osmani dërgoi mesazh se Maqedonia e Veriut, si vend kryesues i OSBE-së, do të përpiqet të gjejë një mënyrë për ta kthyer Organizatën në Ukrainë. Ai tha gjithashtu se komunikimi me Rusinë do të varet nga ajo se si Rusia do të sillet ndaj parimeve dhe angazhimeve të Organizatës, për të cilat Osmani nuk do të lejojë asnjë kompromis.