Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev dhe kryeministri Dimitar Gllavçev kanë reaguar ndaj presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila në betimin solemn nuk e përdori emrin kushtetues të vendit.
Radev dhe Gllavçev kanë bërë një deklaratë me shkrim, pasi Siljanovska-Davkova nuk e ka përmendur emrin kushtetues të vendit të saj në betimin solemn në Kuvend më 12 maj.
Në deklaratat me shkrim u kujtua se Maqedonia e Veriut duhet t'i qëndrojë besnike Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi dhe Bashkëpunim të nënshkruar me Bullgarinë në vitin 2017 si dhe ndaj marrëveshjeve me Bashkimin Evropian (BE).
"Dua të theksoj se Republika e Bullgarisë nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Marrëveshjen e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017 dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Maqedonisë së Veriut", theksoi Radev në deklaratë.
Duke rikujtuar se Maqedonia e Veriut është "anëtare e NATO-s, ndërsa kjo sjell me vete detyrimet dhe përgjegjësitë përkatëse", Radev potencoi se perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut varet nga zbatimi i fuqishëm i marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat është palë.
Radev theksoi se korniza e negociatave të përcaktuara më parë ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut nuk do të rishikohet.
Reagimi i kryeministrit Gllavçev
"Me rastin e ceremonisë së betimit të presidentes së re të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Marrëveshjen e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017 dhe me marrëveshjet parimore ndërmjet BE-së dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut", tha kryeministri bullgar duke shtuar:
"Ne besojmë se perspektiva evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të varet tërësisht nga zbatimi gjithëpërfshirës i marrëveshjeve të dakorduara nga të gjithë në korrik të vitit 2022".
Në deklaratën e saj për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT) me rastin e fitores së saj në zgjedhje, Siljanovska-Davkova kritikoi veton e Bullgarisë për negociatat e Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Sofja pret që bullgarët në Maqedoninë e Veriut të përfshihen në kushtetutën e vendit, që ishte një nga arsyet kryesore për veton e saj.
Siljanovska-Davkova pretendon se çështja e statusit të pakicës së bullgarëve në vendin e saj nuk ishte ndër kriteret e negociatave me BE-në.