Cameron në Prishtinë: Jemi mbështetës të mëdhenj të sovranitetit të Kosovës / Foto: AA

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka pritur në takim homologun e saj nga Mbretëria e Bashkuar, David Cameron.

Në konferencën e përbashkët, ministrja Gërvalla-Schwarz tha se gjatë bisedës me Cameron e ka njoftuar atë me zhvillime të ndryshme aktuale në Kosovë, sidomos me sfidat e sigurisë gjatë vitit 2023.

Gërvalla-Schwarz tha se Ballkani dhe Evropa, pra, Perëndimi, kanë nevojë për një strategji të re, pasi ajo e vjetra është duke perënduar.

"Mbretëria e Bashkuar për Kosovën është një partner i veçantë strategjik si në marrëdhëniet tona bilaterale si ato multilaterale. Në këtë kontekst, e falënderova lordin Cameron për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Mbretëria e Bashkuar për Kosovën është partner tejet i rëndësishëm brenda NATO-s, aty ku Kosova e sheh veten, pjesë të synimeve strategjike dhe përcaktimeve parimore të kësaj organizate", theksoi Gërvalla-Schwarz.

Ministrja kosovare tha se rëndësi të veçantë në marrëdhëniet kosovare-britanike nuk ka vetëm fusha e diplomacisë, mirëpo edhe ekonomia, kultura, arti dhe një pjesë e diasporës kosovare që jeton në Mbretërinë e Bashkuar.

Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Cameron, theksoi në fjalën e tij se janë në Kosovë për të mbështetur, promovuar dhe ndihmuar Kosovën. Ai tha se siguria, ekonomia, luftimi i korrupsionit, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë janë fusha ku Mbretëria e Bashkuar po e ndihmon Kosovën dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë.

"Ne jemi mbështetës të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, sovranitetit të saj, të drejtave të Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si shtet i plotë sovran dhe anëtare e familjes së kombeve", theksoi Cameron.

Cameron tha se siguria në Ballkanin Perëndimor është shumë e rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar dhe kjo është një fushë ku Mbretëria e Bashkuar po investon.

Në këtë aspekt Cameron përmendi edhe zbarkimin në Kosovë të 200 ushtarëve britanikë në kuadër të KFOR-it nga tetori 2023.

Cameron gjatë vizitës në Kosovë do të pritet edhe nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, ndërsa mbrëmë ai zhvilloi një darkë pune me kryeministrin Albin Kurti dhe ministra kosovarë. Cameron ka qenë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010-2016, ndërsa aktualisht ushtron detyrën e ministrit të Jashtëm.

AA