Çfarë do të thotë fitorja e Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi? / Photo: TRT Balkan

Zgjedhjet presidenciale në ShBA u përcollën me shumë vëmendje në Kosovë e në Serbi. Liderët politikë në të dyja vendet kanë histori të pozicionimit në njërin apo tjetrin krah të spektrit politik amerikan.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar kohëve të fundit, ndërsa shumëkush vlerëson se duhet një prezencë më e madhe amerikane për të tejkaluar ngërçin.

Por, si ishte qasja e Trumpit ndaj këtij dialogu në mandatin e tij të parë dhe çfarë mund të pritet në mandatin e ri?

Marrëveshja për Normalizimin Ekonomik

Administrata e Trumpit ndërmjetësoi Marrëveshjen e Normalizimit Ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, pak para zgjedhjeve presidenciale katër vjet më parë.

“Të dyja vendet arritën të bëjnë një përparim të madh, diçka që askush nuk mendonte se do të ishte e mundur”, tha Trump në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes.

Marrëveshja parashikonte një sërë pikash, kryesisht të zgjidhjes së ngërçit ekonomik mes të dyja vendeve, por gjithashtu edhe pika politike – si përmbajtja e Kosovës nga aplikimi për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe ndërprerja e fushatës së çnjohjeve nga Serbia.

Katër vjet më vonë, ekspertët konstatojnë se pjesa më e madhe e marrëveshjes nuk është zbatuar.

Përplasjet Kurti - Grenell

Por, kësaj Marrëveshjeje i paraprinë disa drama, veçanërisht në Prishtinë. Dhe dy figura ishin në qendër: Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës, dhe Richard Grenell, i dërguari i Trumpit.

Albin Kurti ishte bërë Kryeministër i Kosovës për herë të parë dhe, pas vetëm 51 ditësh, ai u shkarkua.

Kurti e akuzoi drejtpërdrejt Grenellin për “shtyrjen e një mocioni që rrëzoi qeverinë e tij”, ndërsa e kritikoi shpesh atë se është shumë i afërt me Beogradin për të qenë një ndërmjetës objektiv.

Kurti pa një mundësi për të “shlyer borxhin” duke ftuar Diasporën shqiptare në ShBA që ta votojë Bidenin.

“Ju lus të gjithë juve që të më bashkoheni në mbështetjen e Joe Biden për President të Shteteve të Bashkuara”, thoshte Kurti në videon 3-minutëshe drejtuar shqiptarëve në ShBA.

Trumpi i humbi ato zgjedhje dhe Joe Biden u zgjodh president i ShBA-së.

Afrimi i Serbisë me njerëzit rreth Trumpit

Ndërsa Kosova dhe Serbia vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili vazhdon prej vitesh pa përparim të madh, shpesh ka pasur tensione vërtet të rrezikshme ndërmjet dy vendeve.

Një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse nuk duket se është në horizont.

Dhe ndërsa nuk ka marrëdhënie të veçanta ndërmjet anëtarëve të qeverisë së Kosovës dhe Donald Trumpit dhe shokëve të tij, presidenti serb Vuçiq dhe disa politikanë dhe biznesmenë të tjerë serbë bënë përpjekje për të zhvilluar marrëdhënie të mira politike dhe të investimeve me Trumpin dhe familjen e miqtë e tij.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e dekoroi ish-emisarin Grenell me çmimin “Urdhri i Flamurit Serb”, ndërsa dhëndri i Donald Trump, Jarred Kushner, arriti marrëveshje për investime në Beograd.

Tani të gjitha sytë janë nga Uashingtoni. A mund dhe a do të përpiqet Trump për një marrëveshje përfundimtare dhe historike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

Dhe, më e rëndësishmja, sa i drejtë mund të jetë ndërmjetësimi i tij, me njerëz të afërt me të që bëjnë biznes me Vuçiqin?

TRT Balkan