Çfarë masash rekomandon rajoni për kursim të energjisë elektrike?

Çfarë masash rekomandon rajoni për kursim të energjisë elektrike?

Prej 15 tetorit në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor fillon sezoni i ngrohjes.
Izolimi i shtëpive, zëvendësimi i llambave të vjetra me llamba led janë vetëm disa nga rekomandimet të cilët autoritetet shtetërore ua kanë rekomanduar qytetarëve të bëjnë me qëllim kursimin e energjisë elektrike gjatë periudhës së dimrit.     Foto: AA

Në prag të fillimit të sezonit të ngrohjes pjesa dërrmuese e shteteve në Ballkanit Perëndimor tashmë i kanë miratuar masat për kursimin e energjisë elektrike. Vendimet e qeverive të Ballkanit kryesisht u adresohen institucioneve publike. Por, rekomandime për kursim të energjisë ka edhe për qytetarët e rëndomtë.
Izolimi i shtëpive, zëvendësimi i llambave të vjetra me llamba led janë vetëm disa nga rekomandimet të cilët autoritetet shtetërore ua kanë rekomanduar qytetarëve të bëjnë me qëllim kursimin e energjisë elektrike gjatë periudhës së dimrit.
Shqipëria subvencionon panelet diellore
Ngrohja e ujit është 20 për qind e faturës për çdo abonent familjar në Shqipëri, thonë analizat e autoriteteve përkatëse. Për këtë arsye, më 1 tetor Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjetikës bëri thirrje publike për subjektet që tregtojnë, por edhe që instalojnë panelet diellore. Programi i ministrisë synon subvencionimin e 70 për qind të shumës për çdo familje që do të instalojë panele diellore në banesë për ngrohjen e ujit. Sipas tyre, kjo është një instrument tjetër i rëndësishëm për të përballuar krizën energjetike.
“Më datën 1 nëntor do të hapim aplikimet për 2.000 familjet e para të interesuara, që duan të përfitojnë nga ky program”, njoftoi ministrja Belinda Balluku nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.
Përpos kësaj mase, në planin e kursimit të enegjisë elektrike në Shqipëri është po ashtu kufizimi i përdorimit të energjisë elektirke në institucionet publike, ndriçimi i rrugëve dhe ndriçimi publik.

Kosovë, apel për izolimin e shtëpive

Reduktimi i energjisë elektrike në Kosovë ka filluar që nga mesi i muajit gusht. Drejtuesit shtetërore në vazhdimësi kanë apeluar për kursim të energjisë elektrike. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, javën e kaluar nga Kuvendi i Kosovës u bëri thirrje qytetarëve që të marrin masa për kursim.
“Familjet të marrin masa për izolimin e shtëpive para se të fillojnë temperaturat e ulëta”, tha Rizvanolli.
Masat e detyrueshme për kursim dhe ndalimi për mihje të kriptovalutave janë disa nga vendimet të cilat Qeveria e Kosovës i ka miratuar me qëllim tejkalimin e krizës energjetike. Kuvendi i Kosovës ditë më parë e miratoi kërkesën e qeverisë për të zgjatur masat emergjente për furnizim me energji edhe për një muaj.
Thirrje të ngjashme në Serbi dhe në Maqedoni të Veriut
Gjatë ditës, përdorni diellin sa më shumë për ndriçim, si dhe për ngrohjen e hapësirës në sezonin e ngrohjes, kurse gjatë natës ulini perdet. Kjo është një prej rekomandimeve të cilët autoritetet në Serbi ua kanë dhënë qytetarëve me qëllim të kursimit të energjisë elektrike. Në listën e rekomandimeve po ashtu qëndron se qytetarët nuk duhet t’i mbulojnë me rroba pajisjet ngrohëse, sepse në këtë mënyrë ato lëshojnë më pak nxehtësi.
Këshillat e tjera ndërlidhen me pajisjet e kuzhinës. Shfrytëzimi i ujit të ngrohtë duhet të bëhet vetëm sipas nevojës. Termostati i ngrohësit të ujit rekomandohet të vendoset në një temperaturë ngrohjeje deri në 60°C. Nga ana tjetër, për të siguruar konsumin optimal frigoriferi duhet të jetë në një temperature prej 4°C dhe e ngrirësit në -18°C.
Ngjashëm apelojnë edhe drejtuesit e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, sipas të cilëve me qëllim të kursimit të energjisë elektrike nuk duhet lënë që kompjuterët dhe karikuesit të punojnë kot. Gatimet siç rekomandojnë ata duhet të bëhen në tenxhere dhe pjata më të vogla. Gjithashtu, izolimi i mureve, i dritareve dhe i dyerve rekomandohet të merren si masa për kursim.

TRT Balkan