Cilat janë zhvlerësimet më domethënëse të monedhës?     Foto: TRT Balkan

Çfarë do të thotë kur dëgjoni se një monedhë është zhvlerësuar? Zhvlerësimi i monedhës vendase kundrejt një ose më shumë valutave të huaja është përkufizimi që përshkruan më së miri thelbin e procesit të zhvlerësimit të monedhës.

Zhvlerësimi i monedhës aplikohet për të përmirësuar situatën në bilancin e pagesave ndërkombëtare, pra transaksionet e ekonomisë vendase me pjesën tjetër të botës.

Nëse deficiti i llogarisë korente në një vend është aq i madh sa nuk mund të mbulohet nga huamarrja jashtë vendit ose me rezervat valutore, atëherë zbatohet zhvlerësimi i monedhës.

Rajoni kujton disa shembuj të zhvlerësimit nga fundi i shekullit të kaluar apo fillimi i këtij shekulli, të lidhur me denarin maqedonas, lekun shqiptar, si dhe me dinarin serb dhe jugosllav.

Denari i Maqedonasi u zhvlerësua në vitin 1997

Zhvlerësimi më i madh që nga futja e denarit si monedhë në Maqedoninë e Veriut ka ndodhur në mars të vitit 1997. Në atë kohë, kursi i denarit përcaktohej sipas markës gjermane.

Zhvlerësimi i monedhës ishte 16,1 për qind, respektivisht nga 27 denarë për një markë pas zhvlerësimit nevojiteshin 31 denarë për një markë gjermane. Zhvlerësimi i denarit ndodhi me rekomandim të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), edhe pse sipas pretendimeve të guvernatorit të atëhershëm të Bankës Popullore të vendit, Ljube Trpeski, autoritetet e Maqedonisë së Veriut donin ta bëjnë këtë në vitin 1996.

Ky kurs i denarit është ruajtur deri në hyrjen e euros, gjegjësisht deri në përcaktimin e raportit të monedhës së Maqedonisë së Veriut me monedhën e re euro. Nga ajo kohë e deri më sot, luhatjet e kursit të denarit ndaj euros janë minimale, ndërsa kursi është fiks dhe stabil.

Vlera e lekut shqiptar ra ndjeshëm në vitet 2009 dhe 2011

Në Shqipëri vlera e një euros është rreth 121,03 lekë. Shqipëria kujton dy zhvlerësime të mëdha të lekut kundrejt euros. Ato ndodhën në vitin 2009 dhe në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2015. Nëse nga viti 2005 deri në vitin 2008 një euro këmbehej me 123 apo 124 lekë, në vitin 2009 një euro në Shqipëri arriti vlerën 140 lekë. Kjo çoi në mungesën e euros në treg. Njerëzit në panik nxituan të blejnë euro.

Në vitin 2010 pati një zhvlerësim të euros, por nga viti 2011 deri në vitin 2015 përsëri nevojiteshin 140 lekë për të marrë një euro. Rënia e lehtë e monedhës euro filloi në vitin 2016.

Kursi i luhatshëm i këmbimit sjell ndryshime të shpeshta në vlerën e dinarit serb

Kursi i këmbimit të dinarit serb ndaj euros që zbatohet nga Banka Popullore e Serbisë, sipas klasifikimit të FMN-së është i luhatshëm.

Në këtë vend prej vitesh qytetarët janë dëshmitarë të luhatjeve të mëdha të vlerës së monedhës vendase.

Nëse 12 vjet më parë një euro në Serbi këmbehej me 96 dinarë, sot për të blerë një euro nevojiten 117 dinarë. Kjo vlerë e dinarit serb është aktuale prej kohësh. Në vitin 2017, euroja në Serbi arriti vlerën mbi 124 dinarë.

Marka boshnjake e konvertueshme me një kurs këmbimi të qëndrueshëm të lidhur me euron

Marka e konvertueshme e Bosnjë e Hercegovinës u miratua nga Marrëveshja e Dejtonit në vitin 1995 dhe në vitin 1998 u bë monedha kombëtare e Bosnjë e Hercegovinës. Ajo zëvendësoi dinarin e atëhershëm boshnjak, dinarin e Republikës Srpska dhe kunën kroate.

Që nga paraqitja e markës boshnjake, ajo ka qenë e lidhur fillimisht me normën fikse të markës gjermane, ndërsa më pas me euron. Ekonomia e Bosnjë e Hercegovinës nuk ka parë zhvlerësim që atëherë. Kursi është fiks 1,955 marka për një euro.

Kosova dhe Mali i Zi tashmë po përdorin euron

Kosova dhe Mali i Zi nga vendet e rajonit tashmë kanë euron si monedhë. Përdorimi i euros në këto vende nuk është i lidhur me përparimin e vendeve drejt BE-së, por me vendimin e autoriteteve për të përdorur euron si mjet për pagesë. Ndërsa Kroacia nga viti 2023 do të zëvendësojë kunën me euron pas hyrjes në sistemin e zonës Schengen.

Zhvlerësimet më të mëdha të monedhës në fillim të viteve të 90’ta

Goditjet më të mëdha rreth zhvlerësimit të dinarit në Republikën Federale të Jugosllavisë së atëhershme janë të lidhura me fillimin e viteve të 90’ta dhe me marrëdhëniet e dinarit me markën e atëhershme gjermane dhe me dollarin amerikan.

Para futjes së dinarit të ri, një markë gjermane në Serbi në vitin 1992 vlente 450 dinarë, ndërsa një dollar 750 dinarë. Në vitin 1993 sërish dinari ishte pothuajse i pavlefshëm dhe kursi i këmbimit për markën gjermane dhe dollarin amerikan ishte 30 mijë dhe 48 mijë. Me futjen e dinarit të ri, u vendos raporti prej 1 dinar për 1 markë dhe 1,75 dinarë për 1 dollar.

TRT Balkan