Cili nga vendet e rajonit ka pasaportën më të vlefshme? / Photo: Screenshot Passport index

Pasaporta e Emirateve të Bashkuara Arabe është dokumenti më i fuqishëm i udhëtimit në botë, sipas analizës së uebsajtit Passport Index, i cili publikon rregullisht listën e pasaportave më të fuqishme në botë.

Indeksi i Pasaportave rendit pasaportat e 199 vendeve dhe disa vende nga rajoni janë në dhjetëshen e parë.

Mbajtësit e pasaportave të Emirateve të Bashkuara Arabe mund të udhëtojnë në 180 vende të botës pa vizë. Edhe pse është në vendin e parë, pasaporta e Emirateve të Bashkuara Arabe është më e dobët në krahasim me renditjen e vitit të kaluar, sepse një shtet vendosi viza për qytetarët e Emirateve këtë vit.

Vendin e dytë, me mundësinë e udhëtimit në 178 shtete pa vizë, e ndajnë pesë shtete – Gjermania, Spanja, Franca, Italia dhe Holanda.

Në vendin e tretë janë edhe pesë shtete që mund të udhëtojnë në 177 vende pa vizë, përkatësisht Suedia, Finlanda, Luksemburgu, Austria dhe Zvicra.

Gjashtë shtete janë në vendin e katërt – Danimarka, Belgjika, Portugalia, Polonia, Irlanda dhe Koreja e Jugut, dhe ata që mbajnë këto pasaporta mund të udhëtojnë në 176 vende pa vizë.

Vendin e pestë e ndajnë tetë shtete. Ata që kanë pasaporta të Singaporit, Greqisë, Norvegjisë, Republikës Çeke, Britanisë së Madhe, Hungarisë, Japonisë dhe Zelandës së Re, të cilët mund të udhëtojnë në 175 vende të botës pa vizë.

Në vendin e gjashtë janë tri pasaporta - të Sllovakisë, ShBA-së dhe Australisë, me të cilat mund të udhëtohet në 174 vende pa vizë.

Sllovenia ndan vendin e shtatë me Maltën, Estoninë, Lituaninë dhe Kanadanë, qytetarët e tyre mund të udhëtojnë pa vizë në 173 vende.

Kroacia është në vendin e tetë, në grup me Letoninë, Islandën dhe Lihtenshtajnin. Me këto pasaporta mund të vizitohen 172 shtete pa vizë.

Në vendin e nëntë janë pasaportat bullgare, rumune dhe qipriote, e cila u mundëson qytetarëve të këtyre vendeve të hyjnë pa vizë në 171 shtete.

Lista e dhjetë të parave përfundon me pasaportën e Malajzisë për të cilën dyert e 170 vendeve janë të hapura pa vizë.

Pasaportat e vendeve të Ballkanit

Nga vendet e tjera të rajonit, pasaporta e Serbisë është në vendin e 32-të dhe me të mund të udhëtoni në 137 shtete pa vizë.

Pasaporta e Maqedonisë së Veriut është në vendin e 36-të, qytetarët e së cilës mund të udhëtojnë në 130 vende pa vizë.

Pasaporta malazeze është në vendin e 37-të dhe me to mund të udhëtoni në 129 shtete pa vizë.

Pasaporta shqiptare është në pozitën e 43-të me mundësi udhëtimi pa viza në 122 shtete dhe më poshtë është pasaporta e Bosnjë e Hercegovinës dhe ata që e zotërojnë mund të vizitojnë 121 shtete pa vizë.

Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në 57 shtete, gjë që e vendos pasaportën e tyre në vendin e 86-të.

Sipas Indeksit të Pasaportave, pasaporta e Sirisë është më e dobëta, në vendin e 98-të, qytetarët e së cilës mund të udhëtojnë pa viza në 40 vende të botës, ndërsa pasaportat e Afganistanit dhe Irakut renditen në vendin e 97-të dhe 96-të, ndërsa udhëtimin pa viza mund ta bëjnë në 41, respektivisht 43 shtete të botës.


TRT Balkan / agjencitë