Tregu i parregulluar është një nga arsyet kryesore të rritjes së çmimeve të druve këtë vit.     Foto: TRT Balkan 

Një rritje e madhe e çmimeve të druve për ngrohje është vërejtur në të gjitha vendet e rajonit. Në disa vende, krahasuar me vitin e kaluar, rritja e çmimeve është 50 për qind, ndërsa në disa vende çmimet janë dyfishuar.
Energjia më e shtrenjtë, si rryma dhe gazi kanë kontribuar që shumë familje të kthehen në dru për të ngrohur shtëpitë e tyre. Rritja e kërkesës, për shkak të krizës energjetike, eksportet drejt vendeve evropiane dhe dëshira për fitime më të mëdha të furnitorëve të drurit diktuan një mungesë në treg dhe çmime më të larta, të cilat kryesisht krijohen artificialisht. Prerjet e paligjshme, shitjet ilegale dhe tregu i parregulluar krijojnë gjithashtu një çmim që nuk është realist.
Rritje e dyfishtë në Shqipëri dhe Kosovë
Në Shqipëri, kostoja e një metër kub dru arriti nga 6.500 në 7.500 lekë ose nga 57 në 64 euro. Është një rritje e madhe çmimi krahasuar me çmimet që ishin vitin e kaluar nga 3.200 në 4.500 lekë, pra nga 27 në 34 euro.
Në Kosovë një metër kub dru kushton nga 70 deri në 80 euro. Me tendencë në disa vende të Prishtinës për të arritur deri në 100 euro. Rritja e çmimeve është e madhe duke pasur parasysh se vitin e kaluar çmimi ishte nga 30 deri në 35 euro.
Një metër kub dru në Maqedoninë e Veriut është afër 100 euro
Çmimi për një metër kub dru në Shkup ndryshon me shpejtësi. Varësisht nëse është për brenda kryeqytetit ose jashtë tij, çmimet e furnitorëve privatë në shumë raste variojnë nga 4.500 deri në 5.500 denarë (nga 75 deri në 95 euro). Dru më të lirë mund të gjendet në qytetet tjera jashtë Shkupit, por çmimi nuk lëviz shumë. Tregu po përballet edhe me mungesën e drurit, gjë që rrit edhe më tej çmimin dhe sjell panik te qytetarët.
Çmimi i sivjetëm është për 20 deri në 40 euro çmim më i lartë se ai i përcaktuar nga kompania përgjegjëse për përcaktimin e kushteve të tregut. Sipas “Pyjeve Kombëtare”, çmimi i një metër kub lis është 3.444 denarë ose rreth 55 euro. Ministria e Mjedisit do të mbledhë ende informacione se kush i ka lejuar qytetarët të paguajnë një çmim shumë më të lartë.
“Pres informacion nga inspektorati dhe nga Ndërmarrja Publike që të na informojnë pse çmimet janë kaq të shtrenjta”, tha ditë më parë ministri i Ekologjisë Naser Nuredini.
Komuna të caktuara kanë vendosur që blerjen e drurit ta subvencionojnë me 500 denarë ose rreth 8,5 euro për metër kub.
“Pyjet e Serbisë” dhe tregu i lirë me çmime të ndryshme
Situata në Serbi është e ngjashme. Edhe atje çmimet në treg janë drastikisht më të larta se ato të vendosura nga kompania “Pyjet e Serbisë”.
Nëse bleni dru nëpërmjet kësaj kompanie në Serbi, do t’ju duhet të paguani 4.000 dinarë ose rreth 34 euro. Nëse bleni dru nga furnitorë të tjerë, çmimi është dyfish dhe arrin në 8.000 dinarë ose afër 70 euro.
“Për tetë vite çmimet në “Pyjet e Serbisë” janë rritur vetëm për pesë për qind. Këtu, çmimi është dy herë më i ulët se diku tjetër. Transporti dhe faktorë të tjerë gjithashtu ndikojnë në këtë. Urgjentisht duhet të ketë kufizim në çmimin për metër kub dru”, ka thënë këto ditë për mediat Igor Braunoviq, drejtori i “Pyjet e Serbisë”.
Rritje e madhe çmimi edhe në BeH
Qeveria federale e Bosnjë e Hercegovinës ka marrë disa vendime për përcaktimin e çmimit maksimal për dru për ngrohje. Njëra prej tyre është sjellë në korrik dhe, sipas saj, çmimi për metër kub duhet të ishte 100-120 marka të konvertueshme (50-60 euro). Megjithatë, në tetor, tregu i parregulluar ka kontribuar që çmimi i një metër kub dru të arrijë në 165 marka të konvertueshme (rreth 82.5 euro).
Krahasuar me vitin e kaluar, qytetarët kanë lënë mënjanë shuma deri në 150% më të larta për të plotësuar nevojat e tyre. Çmimet vazhdojnë të rriten.
Çmimi për një metër kub dru në Podgoricë ka arritur në 75 euro
Sipas statistikave të fundit, në kryeqytetin e Malit të Zi ka 57 mijë familje. Nga këto, 30 mijë ngrohen me dru. Ata blejnë dru nga furnitorë privatë për 75 euro. Kostoja e një metri kub është rritur disa herë edhe në Podgoricë. Brenda druri shitet me 65 euro metri kub.
Tregu nuk është i rregulluar dhe blerjet bëhen kryesisht nga furnitorë privatë. Kompania malazeze e menaxhimit të pyjeve ka siguruar 62.000 metër kub dru për qytetarët nga zonat rurale. Kostoja është nëntë euro dhe nuk ka ndryshuar që nga viti 2013.

TRT Balkan