Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, u takua me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, në margjinat e Konferencës për Ndryshimet Klimatike (COP 29) në Baku të Azerbajxhanit.
Siç njofton Zyra e Presidentes, biseda ka zgjatur një orë dhe është zhvilluar në një atmosferë konstruktive. Në takim u bisedua për nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve maqedono-bullgare, për tejkalimin e çështjeve të hapura ndërmjet dy vendeve si dhe për mundësitë për thellimin dhe dinamizimin e bashkëpunimit bilateral në disa fusha me interes të përbashkët.
Në njoftim thuhet se të dy bashkëbiseduesit kanë prezantuar qëndrimet e tyre për zgjidhjet e mundshme për sfidat e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut.
"Presidentja nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut politik dypalësh në të gjitha nivelet, njëherësh tregoi se duhet të respektohen qëndrimet dhe interesat e të dyja palëve dhe se zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe duhet të jetë brenda kornizës së vlerave dhe parimeve themelore të Bashkimit Evropian. Ajo theksoi se marrëdhëniet duhet të zhvillohen në bazë të respektit të ndërsjellë, mbështetjes dhe bashkëpunimit aktiv, i cili do të kontribuojë në forcimin e besimit dhe miqësisë midis dy popujve", thuhet në deklaratë.
Kabineti i Presidentes së Maqedonisë së Veriut informon se presidenti bullgar Radev ka theksuar nevojën për zgjidhje të shpejtë të çështjeve të hapura si dhe nevojën për vendosjen e marrëdhënieve të mira në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, për mirëkuptim më të lehtë reciprok.
Në bisedë, të dy bashkëbiseduesit ranë dakord për organizimin e vizitave zyrtare, ku do të specifikohen angazhimet për bashkëpunim më të mirë të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve.