Dënohet me dy vjet burg kryetari i zgjedhur i Himarës, Alfred Beleri / Foto: ATA

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjKKO) ka dënuar me dy vjet burg kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri.

Në një njoftim nga GjKKO-ja thuhet se, në përfundim të gjykimit, gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Alfred Beleri, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Shtetasi tjetër Pandeli Kokaveshi i arrestuar me Belerin është dënuar me tri vjet shërbim prove për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Sipas gjykatës, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Më 12 maj 2023, Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale "korrupsioni aktiv në zgjedhje".

TRT Balkan / agjencitë