Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të parave që dyshohet të jenë të falsifikuara.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se në Fushë-Kosovë janë deponuar një shumë e konsiderueshme e parave që dyshohen të jenë të falsifikuara.
“FALSIFIKIM I PARASË” Fushë Kosovë 26.12.2023-17.01.2024
“Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se nga disa persona janë deponuar monedha metalike nga dy dhe një euro në vlerë rreth 2.619 euro që dyshohet të jenë të falsifikuar. Monedhat janë konfiskuar për procedura hetimore”, thuhet në raport.
Kujtojmë se Policia e Kosovës para dy muajsh ka goditur një grup që dyshohet se merrej me prodhimin dhe futjen në treg të parave të falsifikuara.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar më 29 nëntor të vitit 2023 se ka arrestuar gjashtë persona, prej të cilëve tre shtetas nga Kosova dhe tre nga Maqedonia e Veriut, të cilët dyshohen se fusnin në treg monedha 2 euro të falsifikuara.
Në këtë operacion, sipas Prokurorisë, janë sekuestruar mbi 85 mijë euro të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Monedhat 2-euroshe të falsifikuara thuhet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe më pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.