Derivatet e naftës: Kush më lirë, e kush më shtrenjtë në rajon?     /Foto: TRT Balkan

Tregu i vendeve të rajonit, i cili kryesisht mbështetet tek importi, tashmë një kohë të gjatë është ekspozuar tërësisht ndaj rritjes së çmimeve. E gjithë kjo si pasojë e rritjes së çmimeve të derivateve, ku rrjedhimisht me këtë ka reflektuar në çdo segment të jetës nga periudha e pandemisë e këndej.

Mirëpo, vlerësuar zhvillimet e fundit duket se rritja e çmimeve është kalimtare, madje jo vetëm se po ofrohet stabilitet, por edhe ulje graduale të derivateve të naftës në të gjitha vendet e rajonit.

Nëse i referohemi krahasimit në periudhën pandemike dhe çmimeve aktuale të derivateve, kemi rrënie prej 40 për qind.

Maqedonia e Veriut, Kosova dhe BeH-ja me çmime më të volitshme

Komisionet rregullatore të Energjetikës në vendet e rajonit thuajse çdo javë dalin me vendime për uljen e çmimeve të naftës.

Nga të dhënat të cilat i ka siguruar TRT Balkan mund të konstatohet se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë çmimet më të volitshme të derivateve të naftës në rajon.

Për momentin çmimin më të lirë e ka Maqedonia e Veriut, gjegjësisht 1 litër dizel paguhet 1,17 euro, ndërsa 1 litër benzinë 1,33 euro.

Kosova radhitet e dyta, ku 1 litër dizell kushton 1,26 euro, ndërsa 1 litër benzinë 1,34 euro.

Më pas vijon Bosnjë e Hercegovina, ku për 1 litër dizel qytetarët paguajnë 1,30 euro, gjegjësisht 1,35 euro për 1 litër benzinë.

Shqipëria dhe Serbia me çmime të njëjta

Për dallim nga vendet e lartpërmendura, Shqipëria dhe Serbia kanë çmimet e njëjta dhe më të shtrenjtat në rajon.

Qytetarët e këtyre dy vendeve për 1 litër dizel paguajnë 1,59 euro.

Nuk dallon shumë çmimi i benzinës nga dizeli, ku po ashtu si në Shqipëri ashtu edhe në Serbi për 1 litër benzinë duhet të paguhet 1,60 euro.

Mali i Zi e ka çmimin e dizelit 1,41 euro, dhe atë të benzinës 1,58 euro.

TRT Balkan