Dialogu Kosovë-Serbi, Vuçiq: Brenda 72 orëve njoftojmë mbi hapat e Serbisë / Photo: AA

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar një takim në Beograd me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjetsues Beograd-Prishtinë dhe çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, dhe ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Pas takimit, Vuçiq deklaroi se brenda 72 orëve do të informojë mbi hapat e rinj që Serbia pritet të ndërmarrë lidhur me krizën e Kosovës, duke shtuar se do të flasë edhe për atë që nuk ka përmbushur bashkësia ndërkombëtare dhe çfarë kërkon Serbia.

"Do të flas për atë që kërkon Serbia dhe për shkak të sulmit esencial dhe brutal ndaj popullatës serbe, para së gjithash në veri të Kosovës dhe çfarë është ajo që nuk e ka përmbushur bashkësia ndërkombëtare", theksoi Vuçiq.

Presidenti serb bëri të ditur se pritet që gjatë tetorit të dalë para Parlamentit të Serbisë me propozime të gjera.

"Albin Kurti dëshiron shkatërrimin e popullit serb dhe kjo nuk është e qartë vetëm për ne, por edhe për botën", deklaroi Vuçiq.

Ai po ashtu tha se Serbia në periudhën e ardhshme duhet të luftojë për pozitën e vendit dhe aleatëve në botë.

Sipas tij, për lëvizjet e fundit të Kurtit, nga bota vijnë vetëm dënime dhe asgjë më shumë.

"Tani është plotësisht e qartë se Albin Kurti dëshiron shkatërrimin dhe persekutimin e popullit serb", tha Vuçiq.

Vuçiq zhvilloi takimin me Lajçakun të martën në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Republikës së Serbisë.

Ndërkohë, Lajçak ka njoftuar të hënën se pas qëndrimit në Prishtinë, do të vizitojë Beogradin për të përgatitur takimin e radhës "në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve" mes dy palëve.

Kryeministri serb Millosh Vuçeviq në njoftimin për vizitën e Lajçakut në Beograd ka bërë të ditur se shumë shpejt pritet një takim në Bruksel, si dhe se do të dëgjohen gjëra më konkrete për veprimet e autoriteteve në Kosovë.

Takimi i fundit i negociatorëve kryesorë është mbajtur në Bruksel më 2 qershor, ndërsa takimi i nivelit më të lartë është mbajtur më 26 qershor, por më pas nuk ka pasur takim mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

AA