Kamionët, që shërbenin si një nga shumë barrikadat në veri, kishin penguar lirinë e lëvizjes në atë zonë.
Barrikadat ishin paralajmëruar se do të fillonin të largoheshin prej sot (e enjte) ndërsa u tha se deri të premten mund të largoheshin tërësisht.
Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi dje se presidenti serb Aleksandar Vuçiq u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat në veri.
Petkoviq theksoi se serbët nuk kanë marrë "kurrë garanci më të forta" nga ShBA dhe BE se nuk ka listë të arrestimeve dhe se serbët që janë në barrikada nuk do të persekutohen.
Po ashtu edhe BE dhe Departamentit i Shtetit të ShBA-së, në një deklaratë të përbashkët dje thanë se po punohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike për të ulur tensionet.
Kujtojmë se nga 10 dhjetori, në disa rrugë në veri të Kosovës janë vendosur barrikada nga serbët lokalë, duke bllokuar lëvizjen e lirë, si reagim pas arrestimit të ish-policit të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiq.