Është mbajtur ceremonia e betimit të 311 rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, numri më i madh i të diplomuarve deri më tani në FSK.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, gjeneralë dhe oficerë të lartë të FSK-së, familjarë dhe të ftuar të tjerë.
Ministri Mehaj në fjalën e tij tha se diplomimi i rekrutëve të rinj të FSK-së po ndodh në një ditë të veçantë, më 11 nëntor, kur në këtë ditë në vitin 1918 u nënshkrua Marrëveshja e Paqes që bëri heshtjen e armëve të Luftës së Parë Botërore.
Mehaj tha se kjo datë rikujton që qëllimi i FSK-së do të jetë gjithnjë garantimi i paqes në vend dhe më gjerë krah për krah me partnerët, sepse më shumë se çdo herë tjetër, rajoni dhe bota kanë nevojë për paqe.
Ministri kosovar tha se nuk mund të ecet përpara pa nderuar të kaluarën e vendit.
“Ushtria jonë nuk ka luftuar kurrë për të pushtuar territore të huaja, por gjithnjë ka mbrojtur vendin e saj. Dijeni mirë se në venat tuaja keni ADN-në e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, keni ADN-në e komandantit legjendar Adem Jashari. Ushtria e Adem Jasharit nuk dorëzohet, nuk kthehet prapa, është e pathyeshme dhe pamposhtur. Jemi të qëndrueshëm si Adem Demaçi dhe trima si Adem Jashari, dy Ademat na udhëheqin neve. Njëri në aspektin politik, tjetri në aspektin ushtarak”, theksoi Mehaj.
Tutje, ministri Mehaj tha se anëtarësimi në NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare është synimi i FSK-së.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se ushtria e Kosovës po rritet vazhdimisht dhe po i shërben një shteti për të cilin u bë shumë sakrificë.
Konjufca tha për ta mbrojtur lirinë e Kosovës është FSK-ja e cila po ndërtohet sipas principeve të një ushtrie moderne dhe demokratike.
“Orientimi ynë është i qartë, ne duam të jemi pjesë e Aleancës Ushtarake të Atlantikut të Veriut, aleancës më të fuqishme të botës e cila përfshinë shtetet demokratike. 23 vite më parë ishte pikërisht NATO-ja e cila me bombardimet e saj e ndali gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë. Ne nuk jemi shtet që kemi pretendime territoriale, ne jemi republikë demokratike por ndihemi të kërcënuar nga pretendimet e Serbisë mbi shtetin tonë”, theksoi Konjufca, duke shtuar se nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në tokën evropiane pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe pa hequr dorë Serbia nga Kosova.
Me 311 rekrutët e rinj, brenda 19 muajve të fundit në Kosovë bëhen gjithsej 1.230 rekrutë të diplomuar në FSK.
Rekrutët të cilët u bënë pjesë e FSK-së, paraprakisht kanë kryer një trajnim 9-javor bazik të ndarë në tre faza, me aktivitete të ndryshme si: disiplina, përdorimi i armës, taktika fizike, navigim gjatë ditës dhe natës, vlera ushtarake, zgjimi i hershëm etj.
Konkursi i radhës për pranimin e 600 ushtarëve të rinj në Kosovë do të hapet më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit Kombëtar.
11 Nën 2022
Diplomon grupi më i madh i rekrutëve në historinë e ushtrisë së Kosovës
Me 311 rekrutët e rinj, brenda 19 muajve të fundit në Kosovë bëhen gjithsej 1.230 rekrutë të diplomuar në FSK.
AA
Lajme të ngjashme
Gratë serbe që jetojnë në Kosovë, marshojnë për paqe në Mitrovicë të Veriut
Ish-këshilltarja e Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Gordana Saviq, njëherësh edhe infermiere, tha se gratë nga veriu i Kosovës janë mbledhur për të thënë se nuk do ta vuajnë më terrorin e kryeministrit kosovar, Albin Kurti
Artikujt në këtë kategori
Fico-Vuçiq në Beograd: Sllovakia dhe Serbia mund të mbështeten mes vete
"Serbia me të vërtetë e meriton ndihmën e Bashkimit Evropian në këtë fushë sepse është kërkuese dhe e kushtueshme", tha Fico dhe shtoi se Serbia e ndihmoi dhe po e ndihmon BE-në në migrim në atë mënyrë që pak vende të tjera mund ta bënin.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore