Disa në rrugë duke kërkuar të drejtat e punëtorëve dhe disa të tjerë afër zgarës duke përgatitur ushqim. Në këtë formë në shumë pjesë të Ballkanit shënohet 1 Maji e njohur në mbarë botën si Dita e Punëtorit.
Tradita e shënimit të 1 Majit dallon edhe në shumë vende tjera të botës. Por, kryesisht mbizotërojnë format e protestave të organizuara në masë të madhe nga sindikatat.
Kjo datë gjithashtu në shumë vende të botës llogaritet si ditë pushimi për punëtorët.
Ne disa prej shteteve të Ballkanit Perëndimor kjo Dita e Punëtorit kremtohet dy ditë, gjegjësisht më 1 dhe 2 maj. Në vazhdim, TRT Balkan ju sjell të dhënat për atë se sa ditë festohet Dita e Punëtorit në rajon.
Një ditë pushim në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut
Zyrtarisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Dita e Punëtorit shënohet vetëm më 1 maj. Në këto shtete, krahas protestave simbolike, organizohen edhe ahengje të ndryshe në përiferi të qyteteve. Për dallim nga Shqipëria dhe Kosova, në Maqedonia të Veriut vite më parë si festë e punëtorit shënohej edhe data 2 maj. Por, pas ndryshimit të Ligjit për festat shtetërore në vitin 2007 kjo datë është larguar nga kalendari i festave.
Dita e Punëtorit në Serbi, BeH dhe Mal të Zi festohet dy ditë
Shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, siç janë Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi prej vitesh Ditën e Punëtorit e festojnë dy ditë rresht. Pra, përveç 1 Majit, në këto shtete punëtorët pushojnë edhe të nesërmen e 2 majit. Kjo traditë e kremtimit daton prej kohës së ish-Jugosllavisë.
Çfarë është Dita e Punëtorit?
Dita e Punëtorit është një festë ndërkombëtare që nderon betejat e klasës punëtore dhe përpjekjet e sindikatave.
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve u njoh zyrtarisht në vitin 1889 në Kongresin e parë Ndërkombëtar Socialist në Paris për të përkujtuar rastin Haymarket - një konfrontim i përgjakshëm midis punëtorëve të sindikatave në grevë dhe policisë së Çikagos në 1886.
Pas protestave më të dhunshme në ShBA, Kongresi Socialist i vitit 1904 e bëri të detyrueshme ndërprerjen e punës në Ditën e Majit, duke u bërë thirrje “të gjitha organizatave të Partisë Social-Demokrate dhe sindikatave të të gjitha vendeve të demonstrojnë energjikisht më 1 Maj për themelimin ligjor të 8 orë punë në ditë.
Çfarë ndodhi në sheshin Haymarket?
Për vite me radhë, punëtorët e fabrikës ishin detyruar të punonin deri në 16 orë në ditë në kushte të pasigurta. Ndërsa u organizuan në sindikata, ata filluan fushatën për një ditë pune tetëorëshe.
Federata e Sindikatave të Organizuara të Punës zgjodhi 1 majin e vitit 1886 si datën kur dita punës me 8 orë do të bëhej standarde. Sindikatat organizuan një grevë të përgjithshme në mbështetje të kësaj nisme. Qindra mijëra punëtorë protestuan dhe mbajtën mitingje në gjithë vendin. Rreth 30.000 deri në 40.000 punëtorë protestuan vetëm në Çikago.
Protestë paqësore në Çikago shpejt u shndërrua në dhunë të përgjakshme. Më 3 maj, në fabrikën McCormick shpërtheu dhuna dhe policia qëlloi kundër grevistëve, duke vrarë të paktën dy prej tyre.
Aktivistët e indinjuar të punës, anarkistët dhe punëtorët e sindikatave organizuan një tubim të nesërmen në sheshin Haymarket. Ngjarja ishte kryesisht e qetë dhe turmat kishin filluar të shpërndaheshin ndërsa folësi i fundit, socialisti britanik Samuel Fielden, filloi fjalimin e tij. Sipas një artikulli të New York Times të 5 majit 1886, auditori u bë “më i egër dhe më i dhunshëm ndërsa ai vazhdonte”.
Policia lëvizi për të thyer turmën e mbetur dhe dikush hodhi një bombë të bërë vetë në rrugën e tyre, duke vrarë në çast një oficer dhe duke plagosur për vdekje gjashtë të tjerë. Dëshmitarët thanë se ka pasur një shkëmbim zjarri mes policisë dhe demonstruesve, por është e paqartë se kush qëlloi i pari ose nëse ndonjë polic u godit. Sipas historianit Paul Avrich, policia qëlloi mbi protestuesit që po iknin, i ngarkoi përsëri dhe qëlloi përsëri - duke vrarë të paktën katër civilë.