Dita Ndërkombëtare e Muzeve: Përurohet mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar.     /Foto: Elva Margariti/Facebook

Më 18 maj në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Muzeut. Një vendim të tillë më vitin 1977 e vendosi Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (KNM). Kjo ditë përbën një moment të një rëndësie të veçantë për komunitetin ndërkombëtar të muzeve.

Synimi i Ditës Ndërkombëtare të Muzeut është rritja e ndërgjegjësimit se "muzetë janë një mjet i rëndësishëm i shkëmbimit kulturor, pasurimit të kulturave dhe zhvillimit të mirëkuptimit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe paqes midis popujve". E organizuar çdo vit më 18 maj, ngjarjet dhe aktivitetet e planifikuara për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeut mund të zgjasin një ditë, një fundjavë ose një javë të tërë. Gjithnjë e më shumë muze po bëhen pjesë e aktiviteteve të ndryshme për Ditën Ndërkombëtare të Muzeut.

Tema e përzgjedhur nga KNM-ja për vitin 2023 është “Muzetë, Qëndrueshmëria dhe Mirëqenia” ("Museums, Sustainability and Ëellbeing"). Në fokus të kësaj teme janë shëndeti dhe mirëqenia globale, veprimi për klimën, si dhe jeta në Tokë.

“Dita Ndërkombëtare e Muzeut 2023 nuk është vetëm një mundësi për të festuar arritjet tona, por edhe për t'u ripërkushtuar parimeve të qëndrueshmërisë dhe mirëqenies. Le të frymëzojmë njëri-tjetrin, duke nxitur një rrjet mbështetjeje dhe mësimi brenda komunitetit ndërkombëtar të muzeut”, thotë kryetarja e KNM-së, Emma Nardi, në mesazhin e urimit të 18 majit – Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.

Përurohet restaurimi i mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar

Pas një pune të gjatë e të kujdesshme restauruese, i zëvendësimit pjesëz pas pjesëze me të njëjtat materiale të 40 viteve më parë në Tiranë është përuruar mozaiku-simbol i Muzeut Historik Kombëtar.

“Së bashku me ambasadoren e BE-së Christiane Hohmann, përfaqësues të trupave diplomatike në Tiranë, UNOPS e qytetarëve që na u bashkuan në festën tonë rizbuluam veprën e artistëve Vilson Kilica, Anastas Kostandini, Aleksandër Filipi dhe Josif Droboniku”, shkruan Elva Margariti, ministre e Kulturës e Shqipërisë.

Në kuadër të kësaj dite hyrja në Muzeun Historik Kombëtar, çdo datë 18 maj, është pa pagesë.

Hyrja e lirë në të gjitha muzetë e Maqedonisë së Veriut

Muzetë në të gjithë Maqedoninë e Veriut sot i kanë dyert e hapura dhe hyrje është falas për vizitorët, ndërsa në kuadër të ditës do të zhvillohen promovime, ekspozita, seminare dhe aktivitete edukative të shumta, me qëllim afrimin e trashëgimisë kulturore të luajtshme me pjesën më të madhe publike.

“Ka shumë mënyra që muzetë të kontribuojnë në arritjen e synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm: nga mbështetja e veprimit klimatik dhe inkurajimi i gjithëpërfshirjes, deri te luftimi i izolimit social dhe përmirësimi i shëndetit mendor”, thotë Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut.

TRT Balkan