Ekspertët e fushës diskutojnë tranzicionin energjetik në Kosovë / Foto: AA

Në Prishtinë është mbajtur simpoziumi i Dytë i Energjisë – "Tranzicioni i Energjisë, me fokus Sistemet për Ruajtjen e Energjisë".

Në këtë simpozium ku u bënë bashkë njohës të fushës së energjisë u diskutua për mundësitë mbi Tranzicionin e Energjisë në Kosovë dhe hapat që duhet të ndiqen për të ndërtuar një sistem elektro-energjetik më të qëndrueshëm, fleksibil dhe të sigurt.

Komiteti Nacional CIGRE - Kosovë i cili vepron në kuadër të Shoqatës Elektroteknike të Kosovës bashkoi udhëheqës të institucioneve shtetërore, ekspertë të energjisë nga operatorë të sistemit nga Korporata Energjetike e Kosovës, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë, e të tjerë.

Drejtoresha e CIGRE-Kosovë, Dobruna Kryeziu, tha se investimet në sektorin e energjisë nëse dëshirojmë të kyçim burime të ripërtëritshme është i domosdoshëm investimi në linja dhe infrastrukturë.

"Sistemet e energjisë së rinovueshme sigurojnë energji të prodhuar në vend. Domethënë, të gjitha burimet e ripërtëritshme e prodhojnë energjinë në vend, në Kosovë, duke reduktuar varësinë nga importet e shtrenjta të energjisë dhe si rezultat duke rritur sigurinë e energjisë", theksoi Kryeziu.

Ramadan Budakova nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) tha se, përveç investimeve në kapacitete të rinovueshme, KEK-u është i angazhuar në përmirësimin e kapaciteteve të prodhimit dhe zvogëlimin në ndikimin mjedisor.

"Projekti për ndërtimin e elektro-filtrave dhe përmirësimin e sistemeve të denox-it, është një hap i rëndësishëm për të reduktuar emetimet dhe për të arritur standardet e Bashkimit Evropian. Kjo është një përpjekje për përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve tanë duke ulur ndikimin negative të industrisë energjetike në mjedis", theksoi Budakova.

Ai tha se procesi i tranzicionit energjetik në KEK nuk është vetëm një sfidë teknologjike, por edhe një mundësi e madhe për të ndikuar pozitivisht në ekonominë e vendit duke siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji dhe duke kontribuar në objektivat globale për klimën.

Në këtë simpozium një përfaqësues nga SIEMENS, anëtar i CIGRE, prezantoi të gjeturat në temën "Tendencat e tregut dhe sfidat me sistemet e baterive".

AA