Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës shënuan rritje me 8,9% gjatë 11-mujorit të këtij viti, ndërsa importet nga Kosova në Shqipëri ranë me rreth 38 milionë euro.
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-nëntor ishin mbi 362 milionë euro, nga 332,5 milionë euro që ishin në 11-mujorin e 2022-shit.
Ndërkohë, importet për 11-mujorin llogaritën gati 102 milionë euro, nga mbi 137 milionë euro që ishin në 11-mujorin e 2022-shit.
Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.
Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit dhe mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) ose mobilie të tjera. Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë.
Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës rreth 151 milionë euro materiale ndërtimi dhe metale dhe rreth 70 milionë euro minerale, lëndë djegëse, energji elektrike.
Tashmë prej datës 1 tetor të vitit 2022 në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.
Janë mbi 1.000 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege, jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi. Referuar të dhënave nga Dogana, vetëm gjatë këtij viti janë rritur me 50% mallrat dhe kontejnerët që zhdoganohen në Durrës dhe kanë destinacion tregun kosovar.
Ndërkohë grupet e punës nga të dyja vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë.