Tre liderët e shtetit të Kosovës, bashkë me anëtarët e kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial "Adem Jashari". Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti kanë nderuar varrezat e familjes Jashari të cilët u vranë me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.
Presidentja Osmani deklaroi se familja Jashari personifikon sakrificën më të lartë njerëzore në histori.
"Epopeja e UÇK-së është Epope e krenarisë së popullit tonë, është Epope që ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë e mbi të gjitha është Epope që simbolizon lirinë që e gëzojmë ne sot. Prandaj, familja Jashari do të mbesin për jetë udhërrëfyes për brezat e tanishëm, por edhe për brezat që do të vijnë pas nesh", u shpreh Osmani.
Edhe kryeministri Albin Kurti tha se secili duhet të vijë në këtë vend që të mos harrohet e kaluara.
"Vetëflijimi, vetësakrifica, vetëmohimi i Jasharëve është Epopeja e UÇK-së në themelet e çlirimit të vendit tonë që paraqet edhe dhimbje e krenari, por edhe besë dhe shpresë për shtetin tonë. Me përkulje respekti, ndjenjë admirimi gjithnjë dhe gjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharëve", deklaroi Kurti.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se sakrifica e Jasharëve përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit.
"Kështu që, nuk është e rastësishme që të gjithë qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë në të gjitha anët e botës vijnë dhe përkulen para varreve të Bacit Shaban, Ademit dhe Hamzës dhe të gjithë familjarëve të cilët u flijuan për lirinë e fëmijëve tanë", u shpreh Konjufca.
5, 6 dhe 7 marsi njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u vranë 59 anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës triditore.