Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit i angazhuar për politikën ndaj Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me procesin e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka deklaruar se ndihet "shumë i ngazëllyer" që procesi ka filluar dhe ka shprehur shpresë që procesi të vazhdojë.
Escobar po qëndron për një vizitë dyditore në vend, e cila ndodh pas fillimit të procedurës parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, respektivisht, ndër të tjerash, për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë si kusht që vendi të vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian (BE).
Pas takimit me kryeministrin e vendit, Dimitar Kovaçevski, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit tha se Maqedonia e Veriut llogaritet si mik dhe aleat i sinqertë i ShBA-së pasi gjatë disa viteve të fundit vendi ka ndihmuar ShBA-në në Afganistan dhe Ukrainë.
“Sepse ne jemi shumë të ngazëllyer t’ju shohim në BE. Ju jeni anëtarë të komunitetit euro-atlantik. Ne do të donim t’ju shohim si mikun tonë të ngushtë në të gjitha ato struktura. Pra, jam i lumtur që procesi ka filluar dhe shpresoj që do të vazhdojë”, tha Escobar.
Duke iu referuar mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar për ndryshimet kushtetuese, kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, javën e kaluar vlerësoi se gjithçka që po ndodh në këtë moment është “torturë dhe presion”.
“Nuk jam këtu për të torturuar askënd”, tha Escobar i pyetur për të komentuar fjalët e kreut të VMRO-DPMNE-së.
Kovaçevski: Me këtë kornizën negociuese kemi mbrojtje të gjuhës dhe identitetit maqedonas
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski, nga ana e tij, tha se korniza negociuese, që është bazë e negociatave të vendit të tij me BE-në, është një dokument i miratuar nga të gjitha 29 vendet anëtare të bllokut evropian, i mbështetur edhe nga partnerët strategjikë të vendit.
“Korniza negociuese përmban kushte të cilat ne duhet t’i përmbushim dhe po ashtu që BE-ja t’i përmbushë kushtet e saj që i ka marrë përsipër dhe tashmë po i përmbush. Marrëveshje të re nuk do të ketë, as edhe nuk ekziston ndonjë mundësi e rinegociimit të kornizës së negociatave”, tha Kovaçevski.
Kryeministri Kovaçevski kritikoi komentet e partisë opozitare lidhur me ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se kohës së fundit kjo retorikë kundër kornizës negociuese përdoret gjithnjë e më pak, siç tha ai, pas të gjitha përgënjeshtrimeve që i morën nga përfaqësues të lartë të BE-së.
“Me këtë kornizë negociuese që Maqedonia e Veriut e posedon, që Kuvendi e ka miratuar dhe që e kemi konfirmuar dhe sot përsëri e biseduam me z. Escobar, ne kemi mbrojtje të plotë të gjuhës dhe identitetit maqedonas, si dhe kemi mundësi të ecim përpara drejt ndërtimit të një shoqërie më të mirë dhe më të begatë për qytetarët e vendit”, tha Kovaçevski.
Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese nevojiten dy të tretat e votat, respektivisht 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Propozimi për fillimin e ndryshimeve kushtetuese parashikon ndryshime në Preambulën e Kushtetutës dhe përmendjen e popullit bullgar, popullit kroat, popullit malazez, popullit slloven, popullit hebre dhe popullit egjiptian.
Pushteti deri më tani nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme pasi opozita maqedonase ka shprehur kundërshtimin e saj, duke deklaruar se nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese në këtë përbërje parlamentare