Protesta e mbështetësve të koalicionit opozitar në Serbi, "Serbia kundër dhunës" (SPN) para godinës së Kuvendit komunal të Beogradit eskaloi në dhunë, pas tentimit të protestuesve që të hyjnë me forcë në ndërtesë.
Policia e vendosur në ndërtesën e Kuvendit të qytetit ka reaguar dhe ka spërkatur udhëheqësit e opozitës dhe demonstruesit me gaz lotsjellës.
Demonstruesit vazhduan të gjuanin gurë dhe shishe drejt objektit të Kuvendit, për të thyer dritaret dhe dyert, të cilat i sulmuan sërish me shkopinj. Ata fishkëllenin dhe bërtisnin “Hajdutë, hajdutë”...
Me ftesë të njërit prej liderëve të koalicionit, të mbledhurit rrethuan ndërtesën e Kuvendit të qytetit dhe gjatë gjithë mbrëmjes, të udhëhequr nga drejtuesit e SPN-së, tentuan të depërtojnë, por i pengoi policia.
Përfaqësuesit e koalicionit SPN thanë se kanë ardhur për të kërkuar “fitoren e arritur” në zgjedhjet e Beogradit dhe se nuk do të lejojnë, siç thonë ata, “vjedhjen e votave”.
Policia fillon arrestimet
Ministria e Brendshme e Serbisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, kanë filluar arrestimin e personave që kanë tentuar të hyjnë me forcë në ndërtesën e Kuvendit të qytetit të Beogradit mbrëmjen e sotme, raporton Tanjug.
Gjithashtu, raportohet se xhandërmeria serbe ka vendosur korridor rreth ndërtesës së Kuvendit të kryeqytetit dhe e ka shpërndarë protestën.
Vuçiq: Të ruhet qetësia dhe të mbrohet vendi
Pas incidenteve, është prononcuar edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Në profilin e tij në Instagram, ai publikoi se sonte është e rëndësishme të ruhet paqja dhe bëri thirrje për përmbajtje.
"Është e rëndësishme të ruhet qetësia, të arrestohen ngacmuesit dhe të sigurohet e ardhmja për fëmijët tanë. Unë dua që ju, të dashur miq, ta dini se unë jam gjithmonë në vendin tim të punës dhe gati për të mbrojtur stabilitetin e vendit, bëj thirrje për përmbajtje, por edhe për të ruajtur pa mëdyshje vendin”, ka shkruar presidenti serb Vuçiq.