Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka takuar sot në Talin kryeministren e Estonisë, Kaja Kalas.
Sipas njoftimit të qeverisë, në takim ka marrë pjesë edhe ministri i Shoqërisë Informative dhe i Administratës Azir Aliu.
Ky takim është pjesë e agjendës së Kovaçevskit në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin Digjital të Talinit 2023, i cili ishte edhe ndër temat e bisedës në takimin dypalësh.
“Në takim u bisedua për marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Estonisë, të cilat si vende aleate në Aleancë po thellohen nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm politik”, thuhet në njoftim.
Kovaçevski falënderoi për mbështetjen e Estonisë për rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për mbështetjen e drejtpërdrejtë në fushën e sigurisë kibernetike dhe digjitalizimit.
Ai e njohu Kallasin me statusin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe hapat e ardhshëm që ky vend duhet të ndërmarrë në këtë rrugë.
“Rëndësia e përshpejtimit të procesit të sjelljes së Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera nga rajoni në BE, në dritën e realitetit të ri gjeopolitik të shkaktuar nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse kundër Ukrainës, u konstatua reciprokisht. Si fqinj i afërt i Rusisë, sot më shumë se kurrë, Estonia thekson dhe kupton rëndësinë dhe forcën e marrëdhënieve transatlantike dhe solidaritetit evropian dhe uron që Maqedonia e Veriut të jetë në të njëjtën tryezë evropiane së bashku me Estoninë dhe vendet e tjera anëtare të BE-së sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e kryeministrit Kovaçevski.
Në këtë drejtim, Kalas theksoi se Estonia do të vazhdojë me mbështetjen e saj të madhe dhe të fuqishme për përshpejtimin e rrugës së Maqedonisë drejt BE-së dhe në mënyrë aktive të punojë me vendet e tjera anëtare të BE-së që mbështesin zgjerimin.
“Kalas përshëndeti gjithashtu qëndrimin e përgjegjshëm të Maqedonisë së Veriut ndaj Ukrainës dhe falënderoi për mbështetjen që vendi ka dhënë deri më tani. Aderimi në vendimet e BE-së dhe koordinimi i plotë për sa u përket sanksioneve dhe masave kufizuese flasin për orientimin e vendit dhe drejtimin që Estonia mbështet fuqishëm”, thuhet në njoftim.
Në takim po ashtu u diskutua edhe për kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në.
Kryetari i Qeverisë Kovaçevski falënderoi për mbështetjen estoneze të prioriteteve dhe përpjekjet e bëra për koordinim në kuadër të kryesimit të OSBE-së.