Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka bërë të ditur se është duke e përforcuar Njësinë Policore të Specializuar (NjPS) përmes dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.
Nëpërmjet një njoftimi për media, EULEX-i bëri të ditur se ky përforcim po bëhet me qëllim për ta mbështetur stabilitetin në Kosovë si dhe sigurinë për të gjitha komunitetet.
"Këta policë do të punojnë krah për krah me NjPS-në e siguruar nga Policia e Polonisë për ta përmbushur mandatin e Misionit në mbështetje të stabilitetit në mbarë Kosovën dhe për të garantuar siguri për të gjitha komunitetet", thuhet në njoftim.
Sipas EULEX-it, Njësia Policore e Specializuar Rezervë (NjPSR) do të përbhet nga asetet e EUROGENDFOR-it të siguruara nga Xhandarmëria Kombëtare Franceze, Karabinierët Italianë, Shërbimi i Sigurisë Publike i Lituanisë dhe Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë.
"NjPSR-ja pritet të arrijë në Kosovë gjatë ditëve në vijim për ta adresuar nevojën e Misionit për forca shtesë në terren për t’i mbështetur më mirë homologët kosovarë - duke përfshirë funksionimin si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse kjo kërkohet dhe është e nevojshme. NjPSR-ja do të kryejë patrullime të dukshme dhe do të kontribuojë që Misioni të ketë pasqyrë të qartë për situatën", thuhet në njoftim.
EULEX-i gjithashtu njofton se ky do të jetë dislokimi i pestë i NjPSR-së së EULEX-it, ndërsa dislokimi i parë është bërë në mars 2022.
EULEX-i shërben si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë në kuadër të mekanizmit me tri nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është i treti.