EULEX në Kosovë përforcohet me një kontingjet të karabinierëve italianë.     Foto: Eulex Kosovo

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, konfirmoi se në Kosovë kanë mbërritur një kontingjent i forcave karabinierë italiane si përforcim për njësitin policor të EULEX-it.

Përmes një postimi në Twitter, Borrell shkroi se EULEX do të përmbushë detyrën për të garantuar stabilitet.

“Në këto kohë të tensionuara, Misioni i BE-së për sundim të ligjit (EULEX) përmbush detyrën për të garantuar stabilitetin: Xhandarmëria nga Karabinierët kanë arritur sonte për të përforcuar përkohësisht Njësitin Policor të EULEX-Kosova. EULEX-i do të vazhdojë të përkrahë një ambient të sigurt”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se Njësia Policore e Specializuar Rezervë (NJPSR) e përbërë nga 23 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR), u zbarkua përkohësisht në Kosovë për t’i përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) ekzistuese të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Bëhet e ditur se NJPSR u dislokua në Kosovë si përgjigje ndaj nevojës së Misionit për të pasur forca shtesë në terren dhe për t’i mbështetur më mirë homologët kosovarë, nëse kjo kërkohet dhe nëse është e nevojshme.

NJPS-ja e rregullt e EULEX-it, e përbërë nga 105 policë polakë, është e stacionuar në Mitrovicë dhe është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, që është pjesë përbërëse e mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti kurse NATO/KFOR-i i treti, thuhet nw njoftim.

NJPSR-ja e sapozbarkuar aktualisht përbëhet nga 23 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe është e vendosur në Kompleksin Mbështetës të EULEX-it në Fushë Kosovë.

Si pjesë e një angazhimi më të gjerë të BE-së në lidhje me Kosovën, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) filloi në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe transferimit të përgjegjësive në fushën e policisë, drejtësisë dhe doganave. nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë në EULEX.

Ndryshe, ardhja e kontingjetit të ri të EULEX-it, në Kosove vjen në kohë kur situata në veri të vendit është tensionuar pas fillimit të zbatimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e veturave me targa RKS për qytetarët serbë të cilët kanë targa ilegale të Serbisë.

TRT Balkan / agjencitë