EULEX nga afër monitoron situatën e sigurisë në pjesë veriore të Kosovës.     Foto:  / Photo: Eulex/Twitter

Misioni i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, është duke e monitoruar nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore të vendit, me praninë e tyre të shtuar në terren, thuhet në komunikatën e tyre.

EULEX ka potencuar se është duke kryer patrullime vëzhguese, përfshirë patrullimet në këmbë në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan.

“Duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, EULEX-i rregullisht e përshtat praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren, si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, është bërë e ditur në njoftimin.

Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e 13 ditë vazhdojnë të qëndrojnë duke vështirësuar jetën e qytetarëve në atë pjesë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.

Ndryshe, ditëve të fundit janë dëgjuar disa shpërthime, të cilat Policia e Kosovës i ka cilësuar si shok bomba.

TRT Balkan / agjencitë