Ku në rajon ka mbështetjen më të madhe dhe ku më të vogël për Bashkimin Evropian? Deri në çfarë mase BE-ja i ka përmbushur apo zhgënjyer pritjet? Një përgjigje për këto pyetje mund të merret nga një analizë krahasuese e të dhënave nga sondazhet më të fundit të opinionit publik në vendet e Ballkanit Perëndimor që u referohen marrëdhënieve me BE-në. Më poshtë po ju paraqesim disa prej tyre.
Shqipëria mbështet fuqishëm anëtarësimin në BE
Tendenca në Shqipëri është pro BE-së në përqindje të madhe. Në sondazhet e fundit të Eurobarometrit të publikuara në fund të vitit të kaluar, 95,9 për qind e të anketuarve mbështesin anëtarësimin në BE, ndërsa 0,5 nuk e mbështesin anëtarësimin në BE. Qytetarët e Shqipërisë, 95,7 për qind e tyre mendojnë se anëtarësimi në Union është shumë i rëndësishëm dhe 0,4 për qind jo i rëndësishëm.
Tendencë e ngjashme edhe në Kosovë
Ngjashëm si Shqipëria anëtarësimi në BE ka marrë mbështetjen të lartë edhe nga qytetarët e Kosovës. Anëtarësimin e Kosovës në BE e përkrahin 92 për qind e të anketuarve. Katër për qind nuk e mbështesin integrimin evropian dhe katër për qind nuk kanë asnjë mendim.
75 për qind e të anketuarve besojnë se BE-ja është në disponim pozitiv për pranimin e Kosovës në BE, por 41 për qind besojnë se anëtarësimi nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt.
Rënie e mbështetjes në Maqedoninë e Veriut
Hulumtimi i fundit i opinionit publik në Maqedoninë e Veriut tregon një rënie të ndjeshme të mbështetjes së qytetarëve në Bashkimin Evropian.
Rreth 49 për qind e të anketuarve mendojnë se në përgjithësi anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian do të ishte një gjë e mirë, ndërsa 34 për qind nuk mendojnë kështu. Kjo është një rënie prej 20 për qind në mbështetjen e anëtarësimit në krahasim me sondazhin e mëparshëm. Rreth 65 për qind e qytetarëve mendojnë se qëndrimi i BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut është shantazhues dhe i padrejtë, ndërsa vetëm 17 për qind mendojnë se ka një qëndrim të drejtë.
Sondazhi “Eurometër u krye nga Eurotink duke anketuar 1.006 persona.
Anëtarësimi i Serbisë është i dëshiruar nga më pak se 50 për qind
Anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian nuk do të merrte mbështetjen e më shumë se gjysmës së qytetarëve të këtij vendi në referendum. Të dhënat nga një sondazh i opinionit publik të kryer së fundmi tregojnë se 43 për qind do të votonin për anëtarësimin e Serbisë në BE, 32 për qind do të votonin kundër, 13 për qind nuk do të votonin fare dhe 12 për qind nuk e dinë se si do të votonin.
Në hulumtimin e Ministrisë së Integrimeve Evropiane të Serbisë janë përfshirë 1.050 të anketuar.
Shumica në BeH dëshiron të jetë në BE
Shumica e qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, mirëpo mbështetja për BE-në është në rënie. Këtë e tregojnë të dhënat e një prej anketave të fundit të kryera në fund të shtatorit të vitit të kaluar.
Sipas këtyre të dhënave, 77,4 përqind e të anketuarve do të votonin për hyrjen e BeH në BE, 16 për qind kundërshtuan anëtarësimin në BE, që është katër për qind më shumë se një sondazh i ngjashëm i vitit 2021. Mbështetja në federatën e BeH është 90 për qind, por në Republikën Sërpska 54.5 për qind.
Mbi 70% e malazezëve kanë një opinion pozitiv për BE-në
Në Mal të Zi, më shumë se dy të tretat e qytetarëve kanë një opinion pozitiv për Bashkimin Evropian. Më shumë se 70 për qind e qytetarëve malazezë mbështesin BE-në dhe 50,2 për qind e qytetarëve mbështesin fuqimisht hyrjen e vendit në BE.
Sondazhi i fundit i CEDEM-it i 21 dhjetori 2022 tregon se 75 për qind e të anketuarve mbështesin anëtarësimin e Malit të Zi në BE, ndërsa 13 për qind jo.
Një tjetër sondazh i qershorit të vitit të kaluar tregon se në një referendum për hyrjen e Malit të Zi në BE, 83.5 për qind e atyre që do të shkojnë në qendrat e votimit do të votonin "PËR", ndërsa 14,7 për qind do të ishin kundër.