Dy shtetas të Maqedonisë së Veriut që ndodheshin në zonat e rrezikut në Gaza janë evakuuar dhe ndodhen për momentin në Egjipt, njoftoi Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale shefi i diplomacisë së RMV-së njoftoi se të ata janë në strehim të sigurt dhe së shpejti do të kthehen në vend.
“Çifti, dy shtetasit tanë të fundit që ndodheshin në zonat e rrezikut, janë evakuuar nga Gaza. Ata janë aktualisht në strehim të sigurt dhe të përkohshëm në Kajro dhe së shpejti do të kthehen në shtëpi. Dëshiroj të shpreh mirënjohje të veçantë për angazhimin dhe profesionalizmin e u.d. ambasadorë në Tel Aviv dhe Kajro, Maçej Kaçorovski dhe Elma Altorok, të cilët bënë përpjekje të jashtëzakonshme në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente të Egjiptit dhe Izraelit si dhe me qytetarët tanë”, njoftoi Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Derisa vijojnë sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, personat që kanë pasaporta të huaja si dhe të plagosurit nga 1 nëntori shfrytëzojnë vendkalimin kufitar Rafah për t’u larguar nga Gaza.