Faktori njerëzor është kyç për të mos pasur viktima në aksidente trafiku. Deri tani shkaku më i madh i aksidenteve në komunikacion është shpejtësia, edhe atë me mbi 60 për qind, ndërsa cilësia e rrjetit rrugor ndikon me 1% në aksidentet në trafik.
Kjo u bë e ditur nga pjesëmarrësit e Konferencës së tretë Ndërkombëtare për Sigurinë në Trafikun Rrugor të organizuar nga Këshilli Republikan për Sigurinë në Trafikun Rrugor (KRSKRr) në Maqedoninë e Veriut, ku morën pjesë ekspertë të fushës së trafikut nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina dhe Bullgaria.
Siç theksoi kryetarja e KRSKRr-së Gordana Kozuvarovska, qëllimi i konferencës është ngritja e sigurisë në komunikacion në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Do të ketë linja të ndryshme prezantimesh që do të japin fryte për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe rritjen e kulturës në komunikacion. Në nivelin e Ballkanit jemi diku në një shkallë mesatare përsa i përket sigurisë në komunikacion. Ne vazhdimisht po punojmë që të zvogëlojmë numrin e aksidenteve në komunikacion dhe numrin e të vdekurve dhe jemi pjesë e projektit që deri në vitin 2030 të mos vdesë asnjë fëmijë në aksident trafiku”, tha Kozuvarovska.
Për kulturën e komunikacionit në Maqedoninë e Veriut ajo tha se është në nivel të lakmueshëm, ndërsa për sigurinë në komunikacion ka theksuar se gjithmonë mund të jetë në nivel më të mirë. Ajo theksoi se përmes fushatave të ndryshme KRSKRr-ja po punon vazhdimisht për forcimin e tyre, veçanërisht te më të rinjtë.
Sipas zëdhënësit të MPB-së, Toni Angellovski, nëse të gjithë i respektojmë rregullat, nuk do të kemi aksidente në komunikacion.
Statistikat, theksoi Angellovski, tregojnë se, edhe pse kemi një trend në rënie në tri vitet e fundit, në aksidente trafiku janë rreth 120 viktima, duke theksuar se, sipas të gjitha analizave deri tani, shkaku më i madh i aksidenteve në komunikacion është shpejtësia me mbi 60 për qind.
“Mesatarisht kemi rreth 250 mijë gjoba në vit, ndaj kjo tregon se sa intensivisht po punon MPB-ja, por edhe sa intensivisht nuk respektohen rregullat. Ne vazhdojmë të punojmë në mënyrë parandaluese, të ndikojmë në vetëdijen e qytetarëve, por edhe represivisht, sepse fatkeqësisht disa nga qytetarët nuk i marrin mesazhet tona”, tha Angellovski.
Ai theksoi se faktori njerëzor është vendimtar për të shmangur aksidentet në komunikacion dhe shtoi se, nëse të gjithë i respektojnë rregullat, nuk do të ketë aksidente.
Dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski, theksoi se Suedia ka më pak vdekje në aksidente trafiku me 22 vdekje për një milion banorë në vit, vendet e tjera baltike dhe Zvicra kanë rreth 30, ndërsa mesatarja në Evropën Qendrore është rreth 45. Mesatarja në Ballkanin Perëndimor është rreth 70.
“I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor ka rreth 70 vdekje për një milion banorë. Vendi më i sigurt në Ballkan është Kosova, e cila ka 55, kurse në Maqedoninë e Veriut është rreth 65. Mesatarja evropiane është 40 vdekje për një milion banorë në vit. Arsyet për këtë janë të ndryshme dhe njeriu ka ndikimin më të madh si faktor. Në 95 nga 100 situata, përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për aksidentet e trafikut e ka shoferi, një për qind është gjendja e rrugës, ndërsa 3 deri në 4 për qind e mbetur është gjendja e automjetit dhe kushtet e rrugës – ditë, natë, rrugë e rrëshqitshme”, tha Dujovski.
Mirko Kukoviq nga Serbia vlerësoi se pjesa e Korridorit 10 në vend është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit dhe shtoi se së bashku me KRSKRr-në po punojnë për të rritur ndërgjegjësimin e shoferëve nga Serbia që shkojnë me pushime në Greqi për të bërë pushime çdo dy orë vozitje në kohëzgjatje prej 15 minutash, sepse lodhja është një nga shkaqet kryesore të aksidenteve në trafik.
Sinan Alispahiq nga Kroacia, nga ana tjetër, theksoi se zbatojnë programe edukative për shoferët e moshës 65+, të cilët janë grupi më i rrezikuar, por edhe për më të rinjët, pra fëmijët në moshën parashkollore.
“Fëmijët janë baza për krijimin e shprehive dhe kulturës së trafikut. Prandaj, prioritetin më të lartë i japim edukimit të tyre në komunikacion”, tha Alispahiq.
Ai tha se duhet të përpiqemi të zbatojmë “Vizionin 0”, i cili parashikon që deri në vitin 2050 të mos ketë viktima në trafik.