Në praninë e një numri të madh të besimtarëve, mëngjesin e sotëm në të gjitha qendrat kryesore të vendeve të rajonit, si dhe në qytete të tjera, me faljen e namazit të Bajramit ka filluar një nga festat më të mëdha të myslimanëve.
Në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup u mbajt manifestimi qendror në Maqedoninë e Veriut me rastin e Bajramit të Kurbanit, ku besimtarët myslimanë mbushën hapësirat e brendshme dhe oborrin e xhamisë.
Në programin e organizuar nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut, para faljes së namazit të Bajramit u kënduan pjesë nga Kurani, si dhe ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake.
Fjalimin e hutbes së Bajramit e mbajti kreu i BFI-së, Shaqir Fetahi, i cili theksoi rëndësinë e kryerjes së Haxhit, prerjes së kurbanit, sakrificës dhe shërbimit ndaj të tjerëve.
Fetahi në fjalimin e hutbes foli edhe për rëndësinë e ruajtjes së vlerave tradicionale familjare, si dhe për çështje të tjera, siç është migrimi i të rinjve.
Në deklaratën për gazetarët pas namazit të Bajramit, Fetahi theksoi se besimtarët myslimanë nga pasuria e tyre presin kurbanët për të treguar lidhshmërinë me Allahun dhe për të qenë në shërbim të njerëzve.
"Shfrytëzojmë nga rasti që të gjithë besimtarëve të vendit tonë, si dhe të gjithë atyre kudo që jetojnë dhe veprojnë, t'ju shpreh në emër të BFI-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut urime të sinqerta dhe të përzemërta, duke iu lutur Allahut Fuqiplotë që t'i pranojë të gjitha ibadetet e tyre, lutjet e tyre për paqu dhe mbarësi", tha Fetahi.
I pyetur për debatin publik mbi projektligjin e diskutueshëm, i cili bie ndesh me vlerat tradicionale familjare, kreu i BFI-së tha se institucioni të cilin e udhëheq ai, para një muaj e gjysmë ka dalë me qëndrim se projektligji nuk përkon me parimet e vlerave dhe rregullave fetare të të gjitha bashkësive fetare.
Fetahi shtoi se dje është njoftuar se Qeveria dhe Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e kanë tërhequr ligjin dhe i njëjti nuk është në procedurë për t'u miratuar.
Në Shqipëri besimtarët myslimanë kanë falur namazin e Bajramit në xhamitë e vendit, por edhe në sheshe.
Programi qendror për faljen e namazit të Bajramit në Shqipëri është mbajtur në sheshin "Skënderbej" në Tiranë, me pjesëmarrjen e besimtarëve të shumtë.
Pjesë e programit qendror në kryeqytetin e Shqipërisë ishin edhe leximi i Kuranit, ligjërata dhe hutbeja.
Ndërkohë, namazi i Kurban Bajramit ka mbushur edhe xhamitë e tjera të vendit.
Po ashtu, edhe në Kosovë xhamitë janë mbushur me qytetarët, të cilët u mblodhën për faljen e namazit të Bajramit.
Programi qendror në Kosovë është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ndërsa hutben e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim Tërrnava, i cili tha se Bajrami i Kurbanit është një ndër festat më të rëndësishme për myslimanët.
“Në këtë ditë feste të Bajramit të Kurbanit, besimtarët anë e mbanë botës presin kurban. Qëllimi i prerjes së kurbanit është afrimi edhe më i madh te Zoti xh.sh. Duke rikujtuar dhe përmendur në vazhdimësi emrin e Allahut, Zoti xh.sh. thotë: Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira, andaj falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd”, tha Tërrnava.
Myftiu Tërrnava ka shprehur shqetësimin e tij edhe për ikjen e rinisë nga Kosova, dukurinë e dhunës në familje, si dhe për rritjen e numrit të divorceve dhe rënien e lindjeve.
Me rastin e ditës së parë të Bajramit të Kurbanit, kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) do të presë në selinë e saj udhëheqësit e institucioneve të larta dhe mysafirë të tjerë.
Festa e Bajramit të Kurbanit fillon me faljen e namazit herët në xhami, pastaj vazhdon me prerjen e kurbanit, simbolit të festës, si dhe me vizitat tek të afërmit dhe miqtë.
Gjatë Bajramit të Kurbanit institucione dhe organizata të ndryshme nga rajoni, por edhe nga Türkiye do të shpërndajnë mish kurbani për familjet në nevojë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
28 Qer 2023
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Samiti III i Diasporës në Tiranë: Diaspora, simbol i qëndrueshmërisë
Në ditën e dytë të Samitit të tretë të Diasporës që po mbahet në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë Rama u shpreh se, përtej simbolikës që ka, ky takim vjen edhe me vetëdijen e plotë për shkruar një tjetër faqe të re për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Artikujt në këtë kategori
Vuçiq dhe Hashemi diskutojnë forcimin e bashkëpunimit ekonomik
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit tha se kishte pasur një bisedë të mirë dhe miqësore me Hashemin dhe e falënderoi për letrën e presidentit të Iranit, Masoud Pezeshkian, i cili konfirmoi pjesëmarrjen e vendit në EXPO2027.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.