Filloi votimi për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut / Foto: AA Arkiv

Filloi votimi për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, të Veriut, që, sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KShZ), duhet të zhvillohen në 3.480 vendvotime në vend, e të drejtën e votës mund ta ushtrojnë 1.814.317 qytetarë të Maqedonisë së Veriut.

Mbi 1,8 milion votues

Të drejtën e votimit në qendrat e votimit në 14 institucione ndëshkuese-përmirësuese kanë mundur ta ushtrojnë ditën e djeshme 2.147 votues, si dhe 2.569 votues të drejtën e votës mund ta realizojnë në 31 vende në përfaqësitë diplomatike-konsullore ku janë paraqitur për të votuar, aplikimet e të cilëve janë pranuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Të drejtën e votës në qendrën e vetme për personat e zhvendosur brenda vendit mund ta ushtrojnë edhe dy votues që identifikohen si të zhvendosur brenda vendit.

Zgjedhjet e shtata presidenciale

Këto do të jenë zgjedhjet e shtata radhazi presidenciale në të cilat marrin pjesë shtatë kandidatë në raundin e parë të procesit zgjedhor. I njëjti numër kandidatësh kishte edhe në vitin 2009.

Shtatë kandidatë për president

Presidenti aktual Stevo Pendarovski, kandidat i koalicionit të udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), po lufton për një mandat të dytë. Gordana Siljanovska-Davkova është kandidate e partisë opozitare VMRO-DPMNE dhe e partnerëve të koalicionit. Bujar Osmani është kandidat i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe i koalicionit, kurse Arben Taravari është figura e bllokut politik shqiptar. Biljana Vankovska është kandidate e partisë E Majta, Maksim Dimitrievski është kandidat i ZNAM-it, kurse Stevço Jakimovski i koalicionit të përbërër nga partitë GROM, Integra dhe PCER.

Pendarovski dhe Siljanovska-Davkova hyjnë për herë të dytë në garën presidenciale. Ata garuan edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve të vitit 2019.

President mund të jetë person që është të paktën 40 vjeç në ditën e zgjedhjeve. Mandati i presidentit është pesë vjet dhe një person mund të zgjidhet në këtë detyrë më së shumti dy herë.

Dy raunde zgjedhjesh presidenciale

Sipas legjislacionit, kandidati për president mund të fitojë në raundin e parë nëse arrin të marrë më shumë se 50% të votave të të gjithë votuesve të regjistruar në listën zgjedhore. Nëse kjo nuk ndodh, zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve, në të cilin garojnë dy kandidatët me më së shumti vota nga raundi i parë. Pjesëmarrja e votuesve në raundin e dytë duhet të jetë mbi 40%, në mënyrë që votimi të konsiderohet i vlefshëm.

Nëse në raundin e dytë të votimit asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e nevojshme të votave, përsëritet e gjithë procedura e zgjedhjes.

Pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtur sot, raundi i dytë eventual është caktuar për më 8 maj, së bashku me zgjedhjet e rregullta parlamentare.

KShZ-ja informon se ka interesim të madh për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve nga organizatat dhe mediet vendore, të huaja dhe ndërkombëtare.

KShZ-ja deri më tani ka lëshuar akreditime për vëzhgim për 342 vëzhgues vendas, 517 vëzhgues të huaj dhe ndërkombëtarë, 51 përkthyes dhe 32 gazetarë të huaj.

TRT Balkan / agjencitë