Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Që në mëngjes ka filluar procesi i paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorisë Speciale, përkatësisht dëgjimi i dëshmitarëve.
Dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur për publikun është duke e dhënë dëshminë e saj para trupit gjykues.
Seanca ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ka filluar me pyetjet e prokurorisë për dëshmitaren dhe të njëjtat kanë vijuar në seancë private.
Tutje, dëshmitarja ka konfirmuar se është intervistuar nga prokuroria e kësaj gjykate edhe në dy raste të tjera në Prishtinë.
Prokuroria ka paraqitur dokumentet me dëshmitë e saj, por ato nuk janë transmetuar për publikun.
Trupi gjykues ka bërë të ditur se dëshmia e dëshmitares së parë do të zgjasë katër ditë.
Seanca të tilla pritet të ketë më 11, 12, 13, 17, 18, 19 dhe 20 prill.
Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.