Frederiksen në Tiranë: Shqipëria, një nga zërat më të fortë në Evropë

Frederiksen në Tiranë: Shqipëria, një nga zërat më të fortë në Evropë

Për herë të parë në Shqipëri, për vizitë zyrtare po qëndron një kryeministër i Danimarkës.
Frederiksen në Tiranë: Shqipëria, një nga zërat më të fortë në Evropë.     /Foto: Edi Rama/Facebook

Mes nesh, Shqipërisë dhe Danimarkës, ka një histori marrëdhëniesh diplomatike shumë të mira. Danimarka ka qenë prezente në gjithë procesin e transformimit të vendit, qoftë nëpërmjet agjencisë së saj të ndihmës, por mbi të gjitha politikisht e diplomatikisht si një mbështetëse e vendosur e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit europian”, u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen e cila ndodhet në Tiranë për vizitë zyrtare.

Rama duke vënë theksin te fakti se historia e viteve të fundit ka qenë histori krizash të rënda, tha se vizita e Kryeministres këtu, ka një rëndësi të veçantë edhe për marrëdhëniet gjeopolitike mes Europës së bashkuar dhe Ballkanit Perëndimor, dhe për vetë marrëdhëniet e këtij vendi me Ballkanin Perëndimor.

📍Kryeministria – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen🇦🇱🤝🇩🇰

Posted by Edi Rama on Monday, March 6, 2023

“Ne shikojmë një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve danezë në Shqipëri dhe fluturimet direkte nga Kopenhaga në Tiranë, janë rritur vit pas viti. Ndërsa shikojmë edhe një interes të sipërmarrjes daneze. Nuk flas për një sërë arkitektësh të famshëm me reputacion të madh ndërkombëtar që janë në Tiranë dhe kanë kontribuuar për transformimin e kryeqytetit tonë dhe jashtë tij me talentin dhe disiplinën e tyre të jashtëzakonshme. Po flas edhe për biznese të tjera në fushën e energjisë ose në fushën e tregtisë“, u shpreh kryeministri.

Ai tha se shpresonte që kryeministrja duke qenë edhe një personazh i rrjeteve sociale të Danimarkës me vizitën e saj të ketë influencuar për rritjen e turistëve danezë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, deklaroi se Shqipëria është partnere mjaft e vlerësuar për Danimarkën dhe një aleate shumë e besuar e NATO-s.

“Falemnderit për mikpritjen tuaj sot në Tiranë dhe jam shumë e nderuar që jam kryeministrja e parë daneze që viziton Shqipërinë. Unë mendoj se ju jeni një nga zërat më të fortë në Evropë kur bëhet fjalë për rëndësinë e një integrimi të plotë midis Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Evropës dhe kjo po bëhet gjithmonë e më e rëndësishme”, u shpreh Mette.

Ajo theksoi se, “Shqipëria është një partnere mjaft e vlerësuar për Danimarkën dhe ju jeni një aleat shumë i besuar i NATO-s. Në një kohë kur Bashkimi Evropian është më i rëndësishëm se kurrë më parë, unë shpresoj që ne të mund të ndërtojmë një partneritet edhe më të fortë dhe jam shumë e sigurt që do ta bëjmë një gjë të tillë”.

Kryeministrja daneze u ndal edhe te lufta në Ukrainë ku vlerësoi rolin e Shqipërisë.

TRT Balkan / agjencitë