Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me qëllim që të jenë sa më të trajnuar në aspektin taktit, Kompania 2A e Regjimentit të dytë të Komandës së Forcave Tokësore ka realizuar ushtrim fushor.
Siç njofton ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ushtrimi fushor "Steel Live Alpha" është mbajtur në Aeroportin e Gjakovës dhe Babaj të Bokës duke praktikuar qitjen me municion real luftarak në nivel skuadre dhe togu.
"Ushtarakët tanë çdo ditë e më të përgatitur për t'i bërë ballë çdo sfide, e për të triumfuar në çdo mision", theksoi Mehaj.
Në fund të muajit mars ministri i Mbrojtjes, Mehaj dhe ministri i Mjedisit, i Planifikimit Hapësinor dhe i Infrastrukturës Liburn Aliu bënë të ditur se kanë përfunduar të gjitha procedurat për shpronësimin e tokave në Babaj të Bokës në Gjakovë dhe në Aeroportin e Gjakovës me qëllim fillimin e zbatimit të projekteve strategjike për ushtrinë e Kosovës në këto dy zona.
Ministri Mehaj tha se Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa në Babaj të Bokës do të bëhet një zonë operacionale për FSK-në ku do të ndërtohen poligone taktike.
Aeroporti i Gjakovës i cili gjendet rreth 5 kilometra në veri të qytetit të Gjakovës u rindërtua pas luftës së vitit 1998/99 nga Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, përkatësisht nga paqeruajtësit italianë.