Gashi priti Mathisenin, përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin.                  Foto: AA

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, është takuar sot me përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Mathisen.

Në takim mori pjesë edhe ambasadorja norvegjeze jorezidente, Kristin Melsom.

Sipas njoftimit të Kuvendit, të dy bashkëbiseduesit përshëndetën marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe miqësore, duke theksuar se ato u forcuan edhe më tej përmes anëtarësimit në NATO.

"Kryeparlamentari Gashi theksoi se emërimi i një të dërguari special për Ballkanin Perëndimor tregon interesin që qeveria norvegjeze i kushton rajonit. Ai gjithashtu falënderoi për mbështetjen e fuqishme që Norvegjia, e cila, edhe pse nuk është anëtare e BE-së, për shkak të lidhjes së ngushtë me Unionin, u jep aspiratave evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut", thuhet në deklaratë.

Kabineti i Gashit po ashtu ka bërë të ditur se në takim janë shkëmbyer mendime për avancimin e procesit integrues të vendit, duke qenë se Mathisen ka përvojë shumëvjeçare në angazhimin e tij në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

TRT Balkan / agjencitë